Latifi kritikohet për mungesë të barnave – Deputetët: Qytetarët janë detyruar t’i blejnë edhe barnat nga lista esenciale

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 12:56 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Raporti i auditimit të performances “Furnizimi me barëra dhe materiale shëndetësore” dhe “Optimizimi i resurseve njerëzore dhe pajisjeve teknike mjekësore për t’iu përgjigjur nevojave të pacientëve me COVID-19”, ishin temat që e përballen ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, raporton Ekonomia Online

Këta të fundit, patën vërejtje sa i përket raportit të auditimit, për të cilën thanë se nuk janë edhe aq të mira.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaroi se gjatë pandemisë, institucionet shëndetësore janë përballur me mungesë të barnave, duke u detyruar pacientët që t’i blejnë vetë ato.

Ajo tha se gjetjet e Auditorit nuk janë të mira, derisa theksoi se qytetarët janë detyruar t’i blejnë edhe barnat nga lista esenciale.

“Gjetjet e auditorit nuk janë edhe aq të mira. Kemi vërejtur se gjatë gjithë kohës së pandemisë institucionet që kanë trajtuar pacientët më Covid janë përballur me mungesë të barnave. Gjetje jo e pranueshme ose që është me sekuenca negative është qe pacientët që janë trajtuar në spitale është dashur me ble barna nga lista esenciale. Institucionet tona është dashur t’i sigurojnë barna pacientëve”, tha ajo.

E ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi deklaroi se për pandeminë, bota nuk ka qenë e përgatitur dhe nga kjo fatkeqësi globale, sipas tij, janë nxjerr mësime të rëndësishme.

“Në spitalin ku unë kam punuar, bëhen edhe operacionet robotike. Ne nuk kemi qenë të përgatitur, për disa javë të tjera kemi qenë shumë të papërgatitur”, tha ai.

“Ne nuk kemi infermierë sa duhet. Ne nuk kemi anesteziologë. Unë mendoj se performanca e ekipit mjekësor, po flas pa qenë unë (ministër) s’mund të marr asnjë kredit për menaxhimi më të mirë. Ne e kemi vdekshmërinë më të vogël në rajon me sistemin më të brishtë shëndetësor. Të gjitha këto mësime janë të shkëlqyeshme. Të gjithë mjekët, laborantët e të tjerët, kanë bërë punë heroike. Është më rëndësi që ne po e auditojmë vetveten sepse duhet bërë analizë”, tha Latifi.

“Ne kemi sistemin shëndetësorë të brishtë. Tash na vjen një fatkeqësi e madhe ku na vdesin njerëzit përreth. Ne s’kemi anesteziolog sa duhet. nuk kemi mjek sa duhet me u përkujdes për të sëmurit e intubuar. Rezultatet po tregojnë se si jemi. Rezultatin më të ulët në rajon të vdekshmërisë dhe mjekësinë më të brishtë në rajon. Mjekët tanë e laborantët dhe gjithë të tjerët mendoj se kanë bërë punë heroike. Ne duhet me bë një analizë edhe pas qershorit edhe deri në fund”, ka thënë Latifi.

“Ne kemi nevojë për ndryshime dramatike në infrastrukturën shëndetësore dhe në trajnimin e resurseve. Nëse kemi bërë gabime dhe lëshime ose pse se kemi dit çka me bërë. Na për një vjet kemi arrit mbi 70 për qind të popullit me vaksinu të paktën me një dozë. Qeveria e Republikës së Kosovës bazu në rekomandimet e OBSh ka organizuar gjendje të jashtëzakonshme me kohë. Në spitalin ku unë kam qenë në kohën e pandemisë edhe kirurgët edhe psikiatërit janë bërë mjek të COVID-it”, tha tutje Latifi.

“Duke u nis nga fakti qe ka qenë periudhë sfiduese sistemi shëndetësorë ka bart të gjitha sfidat. Unë dëshiroj qe as një pacient mos me i ble barnat. Kjo ka me qenë e pamundur. Ende është e pamundur. Sot e kësaj dite ne s’kemi qendër për transplantim të traumës e shumë të tjera”.

E drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se ka pasur diskutime brenda këtij institucioni dhe se nuk janë pajtuar me të gjeturat e auditorit.

“Publikimi i këtij raporti është i vonuar sepse ka pasur diskutime të shumta dhe ia kemi bërë të qartë auditimit që nuk jemi pajtuar me të gjeturat. Sa i përket furnizimit me barna dhe material shpenzues. Ky furnizim është bërë gjatë vitit 2021 dhe kemi bërë kontrollimin e stokut farmaceutik. Unë kam marr detyrën kur ka shpërthyer vala e Covid-19. Disa nga barnat janë jashtë listës esenciale”.

“Një numër i pacientëve me Covid kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese. Fraksiparina pjesën më të madhe të kohës e kemi pasur në dispozicion. Do të bëjmë përpjekje që atë buxhet ta shfrytëzojmë dhe të blejmë barna me çmime shumë të lira. U përmend shumë Rendesiviri dhe Kosova ka arritur ta hartojë protokollin për pacientë me Covid. Ka ndryshuar qëndrimet në trajtimin e pacientëve me Covid.  Një drejtor klinike, një shef reparti kanë qenë pjesë e ekipit tim. Pse nuk jemi pajtuar në raport thuhet se Rendesiviri jepet 5 deri në 10 ditë. Vetë auditori e demanton vetveten. Asnjë pacient as me pare të veta nuk ka marrë 14 ditë Rendesivir. Gjatë tre mujorit të parë janë të vitit 2021 janë blerë 456 ampula”, tha Krasniqi.

Deputeti i PDK, Bekim Haxhiu, tha se Ligji për luftimin e pandemisë obligon institucioneve që pacientëve t’u mbulohen shpenzimet. Për këtë, ai tha se ka shumë pacient që nuk i’u janë mbuluar shpenzimet.

“Kam ardhur të diskutoj objektivat, strategjinë, vaksinimin. Respektoj këtë entuziazëm me donatorë. Uroj ta rregullojmë shëndetësinë me menaxher. Si do ta adresoni kontratat e dyfishta dhe trefishta. Janë dy kontrata që e ka ministria dhe një UNOPS-i. Ligji për luftimin e pandemisë obligon pacientëve t’u mbulohen shpenzimet. Ka shumë pacient që nuk i’u janë mbuluar shpenzimet. Pacientet e marrin Rendesivirin por na figuron se në vitin 2020 nuk kemi pasur të regjistruar në doganë, qysh ka hyrë në vitin 2020, në Kosovë”, tha ai.

Të ngjashme