Latifi: Kurti e ka gjithë komoditetin që të tallet me opozitën, sa deputetë e kanë lexuar novelën e Kamy?

Prishtinë | 09 Gus 2021 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Profesori Blerim Latifi e ka komentuar postimin e djeshëm të kryeministrit Albin Kurti për tenorin Ramë Lahaj. Aty, Kurti përmend njërin nga romanet më të famshëm të shkrimtarit francez, Albert Kamy, por me një krahasim interesant me lajmin që e Lahaj e mori për vdekjen e nënës së tij, gjatë koncertit që po e mbante të shtunën në Prishtinë.

Latifi tha se dyshon që dikush nga deputetët e tjerë të opozitës, përveç Kujtim Shalës, ta ketë lexuar novelën e Kamysë. Andaj, ai shkroi se Kurti ka komoditetin të tallet me opozitën në këtë rrafsh.

“Sa deputetë të opozitës e kanë lexu Kamynë dhe novelën e tij të famshme “I huaji”? Dyshoj se përveç Kujtim Shalës që është i fushës ku trajtohet Kamyja, asnjë tjetër. Kështu që kryeministri Kurti e ka gjithë komoditetin që të tallet me opozitën, jo vetëm politikisht, por edhe letrarisht e filozofikisht. Bile sa t’ia dojë kokrra e qejfit”, shkroi Latifi.

Kryeministri Albin Kurti shkroi për mënyrën se si tenori i famshëm shqiptar, Ramë Lahaj e mbylli koncertin në sheshin e Prishtinës.

“”Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji””, shkroi Kurti.

Ai u kritikua se bëri analogji të paqëndrueshme me rastin e vdekjes së nënës së Ramë Lahajt, pasi në romanin e Kamysë, personazhi kryesor nuk shfaq shumë dhimbje për vdekjen e së ëmës.

Të ngjashme