Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, mori pjesë sot në takimin e parë të Grupit Punues për përditësimin e Listës së produkteve dhe materialit shpenzues, e njohur si Lista e Barnave Esenciale.
Latifi ka kërkuar që lista e barnave esenciale të bëhet nga njerëz me kompetenca profesionale e shkencore.
Nga i gjithë ky proces ai pret që të mos ketë konflikt të interesit si dhe të ketë transparencë maksimale.
Duke qenë një nga aktivitetet më të rëndësishme të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministri Latifi theksoi se pandemia COVID-19 dhe zhvillimet e hovshme në fushën e mjekësisë dhe farmaceutikës na obligojnë të përditësojmë Listën e Barnave Esenciale dhe se që çdo produkt që do të përfshihet duhet ta argumentojë rëndësinë për shëndetin publik, efikasitetin klinik, sigurinë, qasjen në sigurimin e tij dhe kosto-efektivitetin.
“Qytetarët dhe pacientët presin që Lista e re të zgjerojë mundësitë e tyre për terapi të reja dhe adekuate, që do të përmbushin ato zbrazëtira që për ta kanë kuptimin e sfidave apo vështirësive për të pasur terapinë që u duhet”, tha Latifi.
Ai kërkoi nga secili anëtar i Komitetit dhe nënkomiteteve përkatëse përgjegjësi maksimale, kompetencë profesionale dhe integritet, me qëllimin kryesor që në këtë Listë të përfaqësohen ekskluzivisht interesat e pacientëve.
Ministri Latifi përfundoi fjalën e tij duke thënë se kjo listë, që do të shoqërohet edhe nga Ligji për përcaktimin e çmimeve të produkteve mjekësore, që Ministria e ka finalizuar dhe do ta dërgojë në Qeveri e Kuvend për miratim, do të jetë lehtësim për punën e profesionistëve shëndetësorë dhe do ta rris satisfaksionin e pacientëve me shërbimet shëndetësore.
Ndërsa Driton Vela, i cili është edhe kryesues i Komitetit kyç të Listës së produkteve mjekësore deklaroi se lista e re do të përpilohet bazuar në transparencë dhe kapacitete shkencore.
“Për ta përpiluar një listë që i plotëson të gjitha kërkesat e vendit sigurisht që do t’i shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet shkencore që i kemi në dispozicion. Nga neve si grup pritet që përpilimi i listës të bëhet ashtu që vendimmarrja jonë të jetë transparente e pa ndikuar nga konfliktet e interesit dhe bazuar në principet moderne të mjekësisë”.
Ai tutje ka sqaruar se si do të përfshihen barnat në këtë listë.
“Në listën e re do t’i plotësojmë edhe mangësitë e listës së vitit 2019. Prej miratimit të listës së fundit kanë kaluar më tepër se 3 vite ka ndryshime të hovshme në mjekësi terapi të reja të cilat e kanë rritur mbijetesën ndaj sëmundjeve të caktuara dhe ne këto do t’i marrim parasysh, nëse i përfshijmë ato me argumentet shkencore direkt do të ndikojmë në cilësinë e shëndetit të pacientëve”, u shpreh Vela.
Në Kosovë, për herë të fundit lista e barnave esenciale ishte përditësuar në vitin 2019.