Latifi: Quni kandidon për qytetarët, jo vetëm për veten

Prishtinë | 06 Qer 2026 | 19:26 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Zvicër, Haki Latifi, ka bërë një postim në rrjetet sociale ku ka vlerësuar kandidatin e LDK-së, Anton Quni, duke e cilësuar atë si një figurë me integritet dhe përvojë të veçantë.

Latifi thotë se Quni nuk kandidon vetëm për veten, por për qytetarët dhe interesin e përgjithshëm.

“Të nderuar votues miq e dashamirë! Kandidati i LDK-së për delegatë të Republikës së Kosovës dhe miku im zotni Anton Quni, nuk kandidon vetëm për vete, por më shumë për ne”, ka shkruar ai.

Ai e përshkruan Qunin si një politikan të qetë, që preferon debatet me argumente dhe jo retorikën e ashpër politike.

“Kjo shihet qartë, ai nuk është i zhurmshëm, i britmave, i çirrjeve e thirrjeve të mëdha, por i debateve ku shtrohen argumentet racionale dhe intelektuale, në tryezë, aty ku ankthi i zë kundërshtarët politikë”, thuhet në postim.

Latifi ka theksuar se Quni ka një histori të njohur në vend, duke e përmendur edhe rolin e tij gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Kandidati z. Anton Quni, biri i Kosovës, uragani i Kosharës heroike, i cili u dëshmua në luftë, tash është guximtar në paqe, do të jetë zëri i të gjithëve”, ka shkruar ai.

Latifi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin LDK-në dhe kandidatin Quni në zgjedhje.

“Vota juaj është besim dhe përgjegjësi për LDK dhe Antonin! Jepi fuqi votës suaj”, thotë postimi.

Të ngjashme