Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka përkujtuar Bahri Fazliun, në 28-vjetorin e rënies së tij, raporton Ekonomia Online.
Latifi tha se Fazliun e njeh që nga viti 1991, duke shtuar se ky i fundit përpos njohës i politikës ka shkruar edhe vepra.
“Po, sot ne jemi në 28-vjetorin e përjetësimit në altarin e lirisë së kombit dhe të bashkimit kombëtar të Bahri Fazliut, heroit Bahri Fazliu, i cili ka rënë në tre-kufirin shqiptaro-shqiptar, pra që Kosova, Mali i Zi, Republika e Shqipërisë në një mision të vështirë, të rrezikshëm por fisnik. Bahri Fazliu i tillë ka qenë prej momentit kur e kam njohur personalisht. Kam qenë një prej shokëve të tij edhe kam pasë nderin që kam bashkëpunuar me të. Ai ka qenë në Rahovec diku në ’91-tën, edhe që nga ajo kohë e kam njohur edhe për së afërmi. Pastaj jemi mobilizuar në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) ku ka qenë bartës i shumë përgjegjësive. Ka qenë njeri tejet i përgatitur”, tha Latifi.
“Në radhë të parë njeri ka qenë, një njeri i përgatitur me dije dhe me horizonte të hapura, bashkëpunues shumë, me virtyte të larta njerëzore, kombëtare, morale. Dhe ne e kemi mbështetur vazhdimisht sepse i kemi besuar asaj çka ka përfaqësuar pra Bahri Fazliu. Edhe si artikullshkrues i mirë, si prozator i mirë, si njohës i mirë i rrethanave politike brenda dhe jashtë, por mbi të gjitha ne e kemi njohur dhe i kemi besuar sepse ka pasur qartësi në atë që është platformë e sqarimit, vetëdijësimit, mobilizimit dhe organizimit të kryengritjes së përgjithshme të armatosur si e vetmja rrugë, si e vetmja alternativë për çlirimin e atdheut, për çlirimin e tokave të pushtuara dhe bashkimin kombëtar”.
“E ka udhëhequr gazetën, organin politik të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës “Çlirimi”. Është themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Ka qenë kryeredaktor i saj. Pastaj ka qenë edhe kryetar i organizatës politiko-ushtarake Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës dhe në këtë cilësi edhe është përjetësuar në altarin e lirisë së kombit në Bogiqe të Plavës”, tha Latifi.
Ai tha se figura si Bahri Fazliu i duhen vendit edhe në kohët e sotme.
“Ne kurrë nuk do ta harrojmë angazhimin, përkushtimin, vendosmërinë, guximin, mbi të gjitha qartësinë politike që e ka pasur dhe lidershipin që e ka dëshmuar gjatë gjithë angazhimit të tij politik. Pra, kishte një jetë të shkurtër por la një vepër të bujshme, një vepër të madhe, e cila na porosit ne të gjallëve, bashkëluftëtarëve, bashkëveprimtarëve, po edhe gjeneratave që vijnë sepse porositë e Bahriut janë aktuale edhe sot. Dhe porosia e tij është që interesi i përgjithshëm, interesi i atdheut, interesi kombëtar është mbi të gjitha. Dhe në këto rrethana ne vuajmë, vuajmë edhe sot e kësaj dite nga një njeri që është i kompletuar me të gjitha virtytet njerëzore, morale, kombëtare, atdhetare. Dhe njerëz si Bahri Fazliu kanë me i shërby edhe modeli i angazhimit të tij kanë me i shërby këtyre brezave që jetojnë sot në liri, por edhe brezave që vijnë pas nesh për ta sendërtuar amanetin, aspiratën e popullit shqiptar për liri dhe bashkim”, tha Latifi.
