Crespo ka këshilluar Martinezin që të refuzojë Barcelonën dhe të qëndrojë në Inter për t’u zhvilluar edhe më shumë si lojtar
Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ish-lojtari argjentinas, Hernán Crespo, tha se bashkëkombësi i tij, Lautaro Martínez, duhet të qëndrojë në Inter “të paktën tre vjet” më shumë, për t’u zhvilluar si lojtar para se të shkojë në një klub të madh.
Lautaro ishte zëvendësues i Mauro Icardit sezonin e kaluar, por me Antonio Conten në stol ai ka shpërthyer dhe ka zgjuar interesimin e shumë klubeve, përfshirë Barcelonën.
“Këshilla ime për të është që të qëndrojë në Inter, pa dyshim. Arsyeja është e thjeshtë. Ai bëri mirë në Argjentinë me Racing Avellaneda, arriti në Inter dhe ishte një zëvendësues i Mauro Icardit në sezonin e parë dhe tani është titullar i padiskutueshëm”.
“Ky është sezoni i tij i parë si një startues. Është pak për të vendosur të ndryshojë jetën e tij dhe të shkojë në Barcelona. Atij i duhen të paktën tri vite për t’u pjekur, atëherë ai mund të mendojë për ndryshimin e ekipit”, vazhdoi ai.
Lautaro, 22 vjeç, shënoi 16 gola në 31 ndeshje këtë sezon dhe performanca e tij e lartë ngjalli interesin e disa gjigantëve evropianë.
Ai ka kontratë me Interin deri në vitin 2023, me një klauzolë lirimi 111 milionë euro.