Lidhja e Bizneseve e Kosovës (LBK) ka bërë thirrje për të përmirësuar politikën investuese dhe plotësim ndryshimet e Ligjit për investime strategjike në Kosovë.
Nëpërmes një komunikate për medie, kjo organizatë thekson se ndryshimi dhe plotësimi i këtij ligji duhet të jetë prioritet për Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin e Kosovës.
“Politika investuese duhet të përmirësohet për të krijuar një infrastrukturë ligjore të favorshme për bizneset vendore dhe të huaja në vend. Është shumë e rëndësishme që Qeveria të amandamentojë ligjin dhe ta procedojë me shpejtësi për aprovim në Kuvend, duke marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet e komunitetit të biznesit në Kosovë. Ligji aktual nuk ofron kushte konkurruese me shtetet e tjera të rajonit, kështu që ndryshimet duhen bërë sa më shpejt për të siguruar kushte më të favorshme për investimet në Kosovë”.
“Kjo do të kontribuojë në rritjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, thekson LBK.
“Rënia e Investimeve të Huaja nga viti në vit është ndezje e alarmit për politikëbërësit.
Ne po e humbim hapin me rajonin dhe pa Investime të Huaja nuk mund të presim as rritje të vendeve të punës, as rritje të produktivitetit ne ekonomi e as përmirësime ne bilancin tregtar”.
Sipas LBK-së, është e nevojshme që politikanët të marrin masa për të stimuluar investimet private dhe të sigurojnë një mjedis të favorshëm për bizneset. “Vetëm nëpërmjet investimeve të huaja dhe vendore, Kosova mund të përparojë dhe të konkurojë me rajonin dhe vendet tjera”.
“Ndryshimet e ligjit do të kontribuojnë në rritjen e investimeve dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Është e rëndësishme që të krijojmë kushte konkurruese me shtetet e tjera të rajonit për të tërhequr investime të huaja dhe për të krijuar vende të reja të punës”.
“Kosovës i duhet një ekonomi e stimuluar nga investimet private dhe fuqizim të sektorit privat”, thekson Lidhja e Bizneseve.