Qeverisja lokale e Kamenicës është duke shtyrë përpara iniciativën për ndërtimin e bulevardit të qytetit me financim prej 1 milion eurosh nga Ministria e Infrastrukturës. Kryetari i Komunës, Qëndron Kastrati, si dhe ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, kanë nënshkruar një marrëveshje për këtë projekt, ku parashihet që këtë vit të ndahen 400 mijë euro mjete financiare, kurse 600 mijë euro do të ndahen vitin tjetër.
Mirëpo, këtë projekt të komunës është duke e kundërshtuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ngase e sheh të paarsyeshëm investimin e afro 1 milion eurove në ndërtimin e bulevardit të qytetit, duke kërkuar që mjetet financiare të destinohen në zhvillimin ekonomik. Ky subjekt politik në këtë komunë i sheh si të rëndësishme investimet në bujqësi, si dhe investimet në programet të cilat e nxitin punësimin, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i degës së LDK-së në Kamenicë, Shaip Surdulli, deklaron se qendra e qytetit është e rregulluar, e cila ka edhe një hapësirë të mjaftueshme. Prandaj, sipas tij, në këtë fazë nuk duhet të ndërtohet bulevardi.