LDK-ja akuzon Shpend Ahmetin për keqqeverisje, thonë se premtimet e tij janë mashtrim për qytetarët

Prishtinë | 22 Nën 2018 | 11:29 | Nga Medina Mehmeti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i këshilltarëve të LDK-së, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka mbajtur konferencë për medie lidhur me punën e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti,  në këtë mandat.

Ata kritikuan Ahmetin për keqqeverisje duke e cilësuar si qeverisjen më të dobët që ka pasur ndonjëherë Komuna e Prishtinës.

Sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal, Halim Halimit, kjo është pasojë e keqqeverisjes 5-vjeçare.

“Qeveria 2 e Shpend Ahmetit është qeveria më e dobët që ka pasur ndonjëherë Komuna e Prishtinës. Kjo del si rezultat i keqqeverisjes pesëvjeçare. 100 premtimet e dhëna nga kryetari janë vetëm mashtrim i opinionit, sepse ato nuk do të realizohen”, tha Halimi, raporton Ekonomia Online.

Halimi kritikoi edhe ndërrimin e shpeshtë të drejtorëve brenda Komunës së Prishtinës.

“Brenda 5 vitesh qeverisje u ndërruan tre drejtorë të arsimit, tre drejtorë të financave, tre të kulturës dhe disa të tjerë nëpër drejtori të tjera”, tha ai.

Halimi kritikoi Ahmetin edhe për mospjesëmarrje në seancat e Kuvendit Komunal.

“Ndryshimet në skenën politike të qeverisjes Ahmeti nuk sollën asnjë ndryshim në përafrimin e bashkëpunimit me opozitën. Kryetari nuk e sheh të arsyeshme të marrë pjesë në seanca në kuvend, dhe kohëve të fundit shihet qartë se nuk koordinohet me drejtorët dhe me nënkryetarët e vet”, tha Halimi.

Ai në këtë konferencë për medie ka folur edhe për ndërtimet pa leje.

“Ndërtimet pa leje sa vijnë e shtohen, gjendja në arsim është duke u rënduar, sepse nuk ka investime bazike, dhe në këtë fushë po zbatohen politika nepotiste. Ka rreth 3 vjet që nuk arrijnë t’i zgjedhin drejtorët e shkollave. Janë 15 shkolla që kanë ushtrues detyre të drejtorit. Këtë e bën me qëllim që të vijë deri te militantët e vet partiakë”, u shpreh ai.

“Nuk ka rritje bazike të buxhetit, nuk ka investime të projekteve të vlerave të mëdha, siç janë shkollat, kolektorët, kanalizimet, mbeturinat etj”.

“Nga koalicioni ekzistues u miratua një plan shumë i keq buxhetor për vitin 2019 dhe një kornizë shumë e keqe buxhetore 2019-2021. Këto nuk pasqyrojnë në asnjë aspekt kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Komunës së Prishtinës”.

 

Të ngjashme