Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës së sotme, pasi tha se gjendja e institucioneve nuk ka ndryshuar.
Ndërsa shtoi se në seancën e së enjtes do të marrin pjesë vetëm te pjesa ku do të shqyrtohen projektligjet për transformimin e FSK-së, derisa për pikat e tjera të seancës tha se do të vendosin organet e partisë.
“Nuk marrim pjesë në këtë seancë. Gjendja është e njëjtë. Institucionet po tregojnë paqëndrueshmëri, jo legjitimitet të plotë. Seanca e rregullt për të enjten përmban ligje të rëndësishme, transformimin e FSK-së. LDK-ja do të marrë pjesë në këtë pjesë dhe për vazhdimet tjera vendos partia”.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se do të marrin pjesë në seancën e së enjtes. Sipas saj Veseli ka kërkuar që kjo pako të shtyhet duke u arsyetuar në mungesë buxheti.
“Nuk do të jemi pjesë e seancës së sotme. Ne shprehim shqetësimet pas diskutimeve në kryesi ku pati disa kërkesa që kjo pako të shtyhet për mungesë të buxhetit. Ne kundërshtuam sepse ishim pjese e mbledhjes për këtë pako. Këta paskan para për lukset, por s’paskan për ushtrinë,” është shprehur Haxhiu.
“Mu dukë lojë siç ka qenë edhe me përpara. E dini që kanë qenë tri përpjekje për transformim por për shkak të qasjes jo serioze dhe Listës Serbë amendamentet kushtetuese s’kanë kaluar. Në fund të mbledhjes Kryetarit i ra ndërmend se s’ka buxhet për këtë pako ligjore. Si opozitë insistuam që kjo të jetë të enjten.”
Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka caktuar seancë për të enjten në ora 10:00. Në rendin e ditës janë 44 pika, ku në mesin e tyre është edhe pakoja e projektligjeve për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri: Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ministrinë e Mbrojtjes, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për FSK-në, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për shërbim në FSK.
Në seancë pritet të bëhet edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Sociale ndërmjet Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, si dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.
Në seancën e radhës është planifikuar që të bëhet shqyrtimi i parë i Projektligjit për pagat në sektorin publik dhe shqyrtimi i parë Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së.
Në rendin e ditës është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës.