LDK hap fushatën, Abdixhiku: LDK do të sjellë ndryshimin, bashkim dhe të ardhme të ndershme për Kosovën

Prishtinë | 11 Jan 2025 | 17:51 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur sot zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet e Përgjithshme të 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, theksoi se ky moment shënon një kapitull të ri dhe një kryengritje të djathtë kombëtare, që do të mbahet mend për breza.

 “Jemi mbledhur sonte këtu, jo vetëm si pjesëtarë të një Lidhje të fortë politike, por si një shtëpi e bashkuar e njerëzve që ëndërrojnë për Republikën tonë, të ardhmen tonë, të ardhmen e një vendi që duhet të qëndrojë krenar, të qëndrojë i fortë, të qëndrojë prijetar. Sonte, shënojmë fillimin e një kapitulli të ri për Kosovën. Sonte shënojmë një moment definues të historisë së popullit tonë. Sonte, shënojmë kryengritjen e djathtë kombëtare – si thirrje monumentale e popullit të Kosovës. Dhe ju them, ju premtoj, zotohem, se çfarë kemi nisur sot këtu, do të kushtrojë fort e do të mbahet në mend gjatë, jo vetëm gjatë këtij muaji elektoral, por do të kushtrojë fort e gjatë, për gjenerata të tëra që do të vijnë pas. Do të shikojmë me mburrje në këtë 11 janar, e do të kuptojmë, se ndryshimi i shkurtit nisi mu në këtë sallë! Nga kjo sallë LDK është ngritur në këmbë”, ka deklaruar Anbdixhiku.

Ai e renditi LDK-në si një forcë që promovon demokracinë dhe tolerancën, duke e kritikuar ndarjen dhe përçarjen brenda vendit, dhe duke e angazhuar për një shtet ku korrupsioni dhe sulmet ndaj mediave nuk kanë vend.

“Zgjedhjet për LDK-në, janë dhe kanë qenë gjithmonë festë e demokracisë dhe tolerancës. Këtë herë, po hymë në festë të madhe të demokracisë nën sanksione të Perëndimit. Për një kohë të gjatë kemi parë vendin tonë, shtetin tonë të ndërtuar me plot mund, teksa humbet mundësitë e destinuara nga historia, teksa zhytet në ndarje, përçarje e zymtësi të brendshme. Në këtë ndarje e përçarje, në këtë urrejtje kaq të madhe të brendshme, ne shikojmë te tjetri jo shtyllën e forcës e bashkimit, jo mikun, fqinjin e bashkëqytetarin me të cilin ndajmë të njëjtat halle, të njëjtat brenga, të njëjtat fate – nën një tokë, nën një qiell, nën një atdhe; por shikojmë kundërshtarin që duhet ta mundim e mposhtim me çdo çmim. Ta shtypim e poshtërojmë thuajse s’kemi kundërshtarë të tjerë të jashtëm bashkërisht”, ka thwnw Abdixhiku.

Abdixhiku apeloi për bashkim dhe vlerësim të lirisë, duke e theksuar rëndësinë e një të ardhmeje të ndershme dhe të drejtë për Kosovën.

“Në Republikën tonë Kryeministri nuk vendoset mbi prokurorinë, Kryeministri nuk mbron hajninë! Në Republikën tonë pushteti nuk sulmon mediat, gazetarë e fjalën e lirë. Jemi popull i lirë, e duam lirinë, do ta mbrojmë lirinë. Në Republikën tonë propaganda nuk zëvendëson realitetin me tabela fiktive përplot mashtrime. Në Republikën tonë, tabela e vetme është ajo e familjeve kosovare që jetojnë, punojnë e përpiqen për një jetë të dinjitetshme e të ndershme. Në Republikën tonë, Qeveria nuk e shkelë Kushtetutën 10 herë për t’u mburrur e jo skuqur 10 herë; e hajnia, vjedhja e krimi nuk maten me kutin e krahasimit me të shkuarën, se a janë më shumë apo më pak se dikur, por dënohen sepse hajnia është hajni, vjedhja është vjedhje, e futja e duarve në bukën e Kosovës do të dënohet edhe para vendit, edhe para Zotit, edhe para shtetit”, theksoi ai.

“Aty ku gjeni ndarje, urrejtje e përçarje, jepuni dorën e zgjatur për përbashkim! Jepuni dy gishta të ngritur lart me plot krenari”, ka thënë kandidati për kryeministër.

Të ngjashme