Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Drenas, ka hapur zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve për kryetar të kësaj komune, të cilat do të mbahen më 4 dhjetor.
Hapja e fushatës me moton “Tash fjalën e ke ti” u bë në një ceremoni në Shtëpinë e Kulturës në Drenas, derisa për ta mbështetur kandidatin Bedri Nika kishte ardhur dhe kryetari i partisë, kryeministri Isa Mustafa.
Në fjalën e tij, Mustafa tha se Drenasi e meriton një qeverisje më të mirë lokale dhe shprehu besimin se Nika do ta drejtojë këtë komunë ”në mënyrën më të mirë”.
“Jam në Drenas si kryetar i LDK-së për t’i dhënë mbështetjen tonë kandidatit tuaj Bedri Nika sepse kemi një kandidat që në mënyrën më të mirë do ta drejtojë Drenasin”, tha Mustafa
Ai premtoi se si kryeministër i vendit do ta mbështesë Drenasin që kjo komunë të zhvillohet ekonomikisht. “Programi i LDK-së për Drenasin mundëson një zhvillim të shpejtë ekonomik”, tha kreu i Qeverisë.
Ndërsa, kandidati për kryetar të Komunës, Bedri Nika, ka kritikuar qeverisjen e deritashme komunale. Sipas tij, vetëm programi i LDK-së mund ta shpëtojë këtë komunë ngase ai është i hartuar në bazë të nevojave të qytetarëve.
“Drenasit sot po i vjen koha e një qeverisjeje pa korrupsion të cilën e kanë instaluar qeveritë më e mëhershme të komunës”, tha ai.
“Drenasit i duhet ndryshim rrënjësor ashtu qysh iu desh ndryshimi qeverisë së Kosovës”.
Gjatë shpalosjes së programit qeverisës, Nika u premtoi qytetarëve të kësaj komune përmirësim të gjendjes ekonomike dhe investime të tjera në shumë fusha që do ta përmirësonin mirëqenien e banorëve të komunës së Drenasit.
Më tutje, Nika premtoi arsim cilësor, shëndetësi më të mirë, administratë më efikase komunale.
Në këtë tubim merrnin pjesë dhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministrat Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami e Arban Abrashi, si dhe disa deputetë të LDK-së.
Zgjedhjet në Drenas po mbahen për shkak se kryetarit të kaluar, Nexhat Demaku, Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në akuzat për krime të luftës, ndërsa mandati i kryetarit të zgjedhur më 4 dhjetor dorë zgjasë më pak se një vit.