LDK i thotë ‘Jo’ darkës së Albin Kurtit: Ftesë e vonuar, urojmë që punët po ju ecin mbarë

Prishtinë | 11 Maj 2024 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një darkë pune ku Qeveria deklarohej se “do të flasin për agjendën legjislative” të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

Në një letër drejtuar kryeministrit Albin Kurti nga kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, qysh në fillim i uron që punët t’i ecin mbarë.

Më tutje, LDK shprehet se kjo ftesë është e vonuar tashmë kur Kurti gati e ka përfunduar mandatin.

Sipas Abdixhikut, Kurti ka shuar frymën e bashkëpunimit mes pozitës e opozitës.

“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.” – thuhet në letër.

“Sa i përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit ku përfaqësuesit tanë politikë i japing edhe qëndrimet tona partiake”, thuhet tutje.

Të ngjashme