Kosova mund të shkojë drejt një bllokade tjetër rreth formimit të Qeverisë, ngjashëm si më 2014-n. Atëkohë për gjashtë muaj kishte mbretëruar ngërç institucional, pasi asnjëra parti nuk pranonte të hynte në koalicion me PDK-në, si fituese e zgjedhjeve.
Situatën e zhbllokoi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit është fituesi ai që propozon kryeparlamentarin dhe herën e parë edhe mandatarin e qeverisë. Por nëse dështon ta krijojë qeverinë, mandatari mund t’u kalojë edhe partive të tjera nëse arrijnë ta krijojnë shumicën në parlament, shkruan sot “Koha Ditore”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe rrëzimi i Isa Mustafës nga posti i kryetarit të Kuvendit, bënë që LDK-ja ta braktisë kampin opozitar për t’iu bashkuar PDK-së. Pas tre vjetësh bashkëqeverisjeje, është po e njëjta parti dhe kryetar që i është rikthyer qasjes refuzuese karshi PDK-së.
Presidenti Hashim Thaçi duhet të nisë procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, sapo ta ketë në tavolinë rezultatin e certifikuar të zgjedhjeve të 11 qershorit. Sipas nenit 66 të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit.