Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sot pasdite, ka dorëzuar nënshkrimet për mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.
Partneri i Albin Kurtit, LDK-ja thotë se i kanë votat e mjaftueshme, për ta rrëzuar Qeverinë.
Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parashohin që: Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
Bazuar në këto dokumente seanca për votimin e rrëzimit të Qeverisë Kurti mund të mbahet të hënën, ose më së largu të mërkurën e javës së ardhshme.
Asnjë zyrtar nga LDK-ja nuk ka dalë të flasë para gazetarëve që kanë pritur përpara Kuvendit të Kosovës.
Por nëpërmes një postimi në faqen e Facebookut, Lidhja Demokratike e Kosovës konfirmoi se, meqë nuk ka pranuar kërkimfalje nga kryeministri Albin Kurti, e ka dorëzuar në ora 16:00 mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, raporton Ekonomia Online.
Një njoftim theksohet se përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari kësaj partie Isa Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij.
“Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, thueht në njoftimin e LDK-së.