Kritikat e brendshme në koalicionin qeverisës komunal të Prizrenit nuk janë ndalur as gjatë fundjavës.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren ka reaguar ndaj komunikatës së Degës së Nismës Socialdemokrate, duke e akuzuar partnerin e koalicionit për punësime mbi baza partiake në sektorin e arsimit, sikurse edhe “uzurpimin” e posteve në sektorin e sportit dhe të kulturës. LDK-ja në Prizren ka bërë të ditur se nuk do të heshtë ndaj praktikave të politizimit të arsimit dhe parregullsive të tjera që kultivohen nga Nisma, shkruan sot Koha Ditore.
Në reagimin e Zyrës për informim të Degës së LDK-së shkruan se ky subjekt politik “përkrah fjalën e lirë dhe inkurajon paraqitjet e denoncimeve nga ana e kuvendarëve të Prizrenit, sa herë që ata e shohin të udhës për qeverisjen e mirë apo keqqeverisjen, qoftë edhe nga partnerët e koalicionit”.