Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur konferencë për media temë e së cilës ishte kualitetit i arsimit dhe papunësia e të rinjve.
Dardan Velija, kandidat për deputet, ka thënë se PDK-ja gjatë një dekade e ka shndërruar segmentin qeveritar arsimor më një agjenci prokurimi për ndërtimin e objekteve, raporton Ekonomia Online.
“Kualiteti i arsimit dhe papunësia e të rinjve janë çështje shumë serioze në vend. PDK-ja për pothuajse një dekadë e ka shndërruar segmentin qeveritar arsimor në një agjenci tenderimesh për ndërtim objektesh me çmime të larta. Mungesa e vizionit në segmentin arsimor ka bërë që kualiteti i mësimdhënies të bie dhe ka bërë që nxënësit tanë të dalin mjaftë dobët në testin e PISA-s”, ka thënë Velija.
Sipas tij, koalicioni LDK-AKR -Alternativa ka plan konkret për ngritjen e kualitetit të mësimdhënies, sikurse dhe punësimin e të rinjve.
“Ne do të bëjmë digjitalizimin gradual të shkollave. Të gjitha këto do të bëjnë futjen e platformave digjitale mësimore në përkrahje të punës së personelit tonë arsimor. Do të bëjmë subvencionimin e punës së parë të të rinjve për t’ju mundësuar atyre qasje në tregun e punës. Do të vazhdojmë me profilizimin, specializimin e universiteteve publike”, ka thënë ai.
Edhe kandidati tjetër për deputet, Besnik Krasniqi ka thënë se koalicioni i tyre ka një fokusin të qartë në sistemin arsimor duke filluar nga niveli parashkollor deri te niveli universitar.
“Fokusi ynë është në ngritjen e nivelit profesional të mësimdhënësve dhe universiteteve. Duke forcuar sistemin universitar ne reflektojmë pozitivisht në përgatitjen e mësimdhënësve të cilit i bartin ato njohuri tek nxënësit tanë. Prioritet do t’ju japim shkollave profesionale dhe ndërlidhjes së sistemit arsimor me tregun e punës. Shkollat profesionale për një kohë më të shkurtër i përgatisin të rinjtë për tregun e punës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka pohuar sedo ta promovojnë mësimin dual në shkolla, mësimin teorik dhe atë praktik, në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet edhe në shkolla edhe në ndërmarrje.
“Ne e dimë sa vështirë e kanë të rinjtë pas diplomimit të përfshihen në tregun e punës, prandaj do të mundësojmë punën e tyre praktike për një vit me pagesë dhe më pas do të financojmë të gjitha idetë e tyre për të bërë biznes. Ne planifikojmë që ta fuqizojmë fondin për shkencë, në mënyrë që t’i rritin kapacitetet e mësimdhënësve”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, koalicioni posedon një plan konkret se si Kosova duhet ta përmirësojë rangimin në PISA.
“Ngritja e cilësisë do ta bëjmë nëpërmes rishikimit të kurikulave, duke orientuar mësimin teorik, kah mësimi praktik. Pika e dytë mendojmë që t’i inkuadrojmë kuadrot tona deficitare në fushën e arsimit, duke përfshirë edhe disa që janë në pension, në fushën e matematikës dhe kuadro tjera deficitare. Pika tjetër është trajnimi dhe riaftësimi i mësimdhënësve për të përdorur metoda inovative të punës”, ka thënë Krasniqi.