LDK-ja kërkon shtatore të Ibrahim Rugovës në Prizren

Prizren | 09 Mar 2024 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK), kërkon vendosjen e shtatores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në Prizren.

Kërkesa i është bërë kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj.

Shefi i Grupit të Kuvendarëve të LDK-së në Prizren, Haziz Hodaj, tha se vendosje e shtatores së Rugovës, do t’i bënte nder qytetit.

“Qyteti i Prizrenit padyshim që e meriton shtatoren e presidentit historik, Ibrahim Rugova”, tha Hodaj.

Sipas tij, LDK-ja i ka propozuar kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj që shtatorja të vendoset te ‘Sheshi i Lidhjes’.

“Presidenti Rugova e kishte pikë të dobët Prizrenin, ‘Kryeqytetin Historik të Shqiptarëve’ siç e quante ai”.

Hodaj, në arsyetimin e kërkesës për vendosjen e shtatores, citon një thënie të Rugovës, për LSHP-në.

“Presidenti Rugova për LSHP-në thoshte se “ishte lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar, pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”.

LDK-ja beson se Kuvendi i Prizrenit do të përkrahë kërkesën e saj.

“Shpresoj që ashtu siç ishte unike figura e presidentit Rugova, si në ide po ashtu edhe në qasje përbashkuese dhe konsensuale, ashtu do të jetë unik edhe vendimi i Kuvendit në mënyrë që kryetari (Shaqir Totaj) dhe kryesuesja (Antigona Bytyqi), të fillojnë procedurën për ta jetësuar sa më shpejtë kërkesën tonë të bazuar në shumë fakte dhe argumente historike”, tha Hodaj.

“Presidenti Rugova në të gjitha rrethanat ishte insistues dhe konsistent në trinomin Liri, Pavarësi dhe Demokraci që u kurorëzuan me 17 Shkurtin e vitit 2008”.

Hodaj tha se Rugova mbajti gjallë jetën dhe shpresën e popullit.

“Mbajtja gjallë e jetës dhe shpresës në rrethana të jashtëzakonshme, ishte alternativa e vetme për mundësimin e jetës në rrethana të zakonshme të krijuar nga kërkesat historike të populli shqiptar të Kosovës”.

“U jetësuan projektet me peshë të madhe kombëtare, të cilat mbajtën gjallë arsimin, shëndetësinë, mirëqenien dhe funksionalitetin politik, të cilat përveçse patën rol krucial në ruajtjen e jetesës dhe mbijetesës brenda kufijve, gjithashtu mundësuan edhe realizimin e projekteve më racionale në kuadër të shoqërive, lirisë dhe pavarësisë”, shprehet Hodaj, shkruan “PrizrenPress”.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka mirëpritur kërkesën e LDK-së për vendosjen e shtatores së Rugovës në Prizren.

Sipas tij, propozimi i LDK-së është me vend.

“Do ta trajtojmë me seriozitet të nevojshëm dhe do ta marrim me prioritet. Mirëpo, nuk është vetëm çështje e kryetarit, por është dhe e Kuvendit, eventualisht e votimit. Megjithatë, mendoj se është propozim me vend”, tha Totaj.

Ibrahim Rugova ishte një politikan, studiues dhe shkrimtar shqiptar i Kosovës. Ai shërbeu si Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe sërish nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në vitin 2006.

Rugova udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, duke mbrojtur një rezistencë paqësore ndaj sundimit serbo-jugosllav.

Ai ishte një ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)

Të ngjashme