Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë për mosvazhdim të kontratave të mbi 1 mijë punonjësve shëndetësor dhe stafit mbështetës, të cilët u angazhuan në kohën e pandemisë Covid-19, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie të shtunën, grupi i ekspertëve të LDK-së për shëndetësi, Ardian Shala dhe Ekrem Hyseni, bënë thirrje për vazhdimin e këtyre kontratave.
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Ardian Shala, thënë se shkaku i mosvazhdimit të këtyre kontratave, mbi 1 mijë familje do të mbesin pa paga.
Tutje Shala u shpreh se mos hapja e konkurseve për specializim do ta shtojë mungesën e stafit shëndetësorë dhe ikjen e mjekëve drejt vendeve të evropës.
“Qeveria ka ndërprerë kontratën e 1 mijë punëtorëve shëndetësorë duke i lënë pa paga ata dhe familjet e tyre. Mungesa e infermierëve është e qartë në çdo klinikë”, tha ai.
Shala shtoi se reduktimi i stafit tash, do ta vështirësojë edhe vaksinimin kundër COVID-19.
“Me reduktimin e stafit vaksinimi kundër COVID-19 do të rrezikohet në të gjitha komunat e Kosovës. Mungesa e infermierëve është evidente në çdo klinikë në QKUK, spitale rajonale dhe QKMF. Rast tipik është klinika Pediatrike që ka filluar rishtazi punën dhe që ballafaqohet me mungesa të mëdha të stafit”.
Shala tha se nga janari 95 mjekë janë larguar nga Kosova dhe se sipas tij, shumica e atyre që kanë mbetur në vend janë më në moshë.
“Nga janari i këtij viti 95 mjekë kanë dalë nga Kosovë dhe shumë të tjerë janë në përfundim të procedurave. Shumë shërbime tash po rrezikohen pasi shumica nga stafi janë të lodhur. Mungesa e specializimeve dhe largimi i mjekëve nga puna do ta rrisë procesin e largimit të mjekëve i cili nëse vazhdon me këtë trend do ta rrezikojë komplet sistemin shëndetësorë”, tha Shala.
E anëtari i kësaj partie, Ekrem Hyseni u shpreh se ai staf e ka dëshmuar se janë të nevojshëm.
“Grupi i ekspertëve të LDK-së për shëndetësi vjen në konstatim se duhet patjetër të bëhet diçka të mirë për shëndetësi. I bëjmë thirrje ministrit që t’ua vazhdojë kontrata këtij stafi i cili ka dhënë kontribut gjatë pandemisë dhe kanë dëshmuar se janë të nevojshëm”, tha ai.