Lumir Abdixhiku, në emër të GP të LDK-së, ka thënë se raporti vjetor për buxhetin e Kosovës ka mungesë të të dhënave narrative, veçanërisht ka mungesë të shpjegimit në hollësi të shifrave të prezantuara brenda atij raporti.
Ai po ashtu shprehi shqetësimin e tij lidhur me të hyrat indirekte nga doganat që sipas raportit kanë shënuar rënie në vitin 2017 për 4 milionë euro për dallim prej vitit paraprak.
“Raporti ka mungesë të të dhënave narrative, ka mungesë të shpjegimit të numrave që prezantohen aty dhe një vërejtje e tillë është thënë edhe në vitet paraprake. Sipas raportit, detyrimet, të hyrat indirekte nga dogana kanë pasur rënie për 4 milionë krahasuar një vit më parë dhe kjo rënie vjen si rezultat i dy vendimeve të njëpasnjëshme. E para me marrëveshjen e MSA-së dhe ndikimet e tilla do priten të vazhdojnë edhe në buxhetin e tanishhëm edhe të ardhshëm, MSA po ka ndikim në të hyra më të pakta doganore në Kosovë dhe neve na duhet të gjejmë një rrugë për të kompensuar këto të hyra, sidomos në vitin e tanishëm këto të hyra janë pakuar më shumë”.
“Shqetësim tjetër janë vendimet gjyqësore, rreth 11.5 milionë euro janë paguar për vendimet gjyqësore të përmbaruesve nga institucione të Kosovës. Është shumë që vazhdon të jetë kështu në vazhdimësi. Po ashtu qiraja është shqetësim, buxheti i Kosovës për institucionet e veta në vit paguan qira 8.2 milionë euro, në fakt një shumë e tillë do mjaftonte të paguanim një këst kredie dhe t’i kishim objektet tona”.
Safete Hadërgjonaj, në emër të GP të PDK-së, tha se për një menaxhim më të mirë të financave publike dhe llogaridhënies është e rëndësishme të përmirësohet klasifikimi buxhetor në fazën e planifikimit, raporton Ekonomia Online.
“MF nga viti në vit ka bërë ndryshime pozitive në raportimin e financave publike, ka bërë ndryshime që rrisin saktësinë e të dhënave, lehtësojnë të kuptuarit e tyre, dhe ofrojnë të dhëna me kohë sipas raporteve periodike. Për një menaxhim më të mirë të financave publike dhe llogaridhënies është e rëndësishme të përmirësohet klasifikimi buxhetor në fazën e planifikimit në mënyrë që të ketë përmirësime në ekzekutimin e buxhetit. Shohim se janë bërë hapa pozitivë në këtë drejtim por duhet bërë edhe më shumë në planifikimin më të mirë buxhetor në mënyrë që të ketë ekzekutim më të mirë të buxhetit dhe mos të ketë nevojë për të bërë ndërhyrje gjatë vitit”.
Ali Lajçi, në emër të GP të LVV-së, shprehi shqetësim lidhur me buxhetin i cili shpërndahet për objektet me qera i cili tha se duhet të ketë kujdes në mënyrën si shpërndahet buxheti.
“Duhet të flasim për menaxhimin, shpërndarjen e buxhetit në kuadër të këtyre sektorëve institucionalë, se ne kemi skandale buxhetore jo vetëm në akumulimin e tyre por të shpërndarjes buxhetore e që vlen të theksohet keqpërdorimet siç bëhen në kohë fushata, siç vërehen punësimet në kontratë në vepër. Ne ndajmë buxhetin disa milionësh për qira kurse objektet që i paguajmë me fondin e qeverisë, sigurisht se i kemi objektet që pronar është vetë qeveria dhe si duket ne kemi kërkuar që të shikohet një analizë të tillë të shikohet numri i objekteve me qira dhe të merren në administrim nga qeveria dhe të kemi kështu një buxhet që mos të shpërndajmë në mënyrë klienteliste, keqpërdoruese e deri te korrupsioni’’.