Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka përshëndetur Deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë Marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se është angazhuar në vazhdimësi për ratifikimin e kësaj marrëveshje të rëndësishme për sovranitetin e shtetit, për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe për proceset tjera vitale për të ardhmen e vendit.
“Në këtë kuadër, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në mbledhjen e fundit, pa asnjë votë kundër ka mbështetur ratifikimin, duke kërkuar nga deputetët të saj që të votojnë pro kësaj marrëveshje të rëndësishme për perspektivën euroatlantike të vendit”, thuhet në një komunikatë të kësaj partie.
“Gatishmëria e plotë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa është demonstruar edhe sot, me ç’rast Qeveria ka qenë e gatshme që ta procedoj në Kuvend këtë marrëveshje, por që pas diskutimeve të partnerëve të koalicionit u arrit dakordimi që Qeveria e Kosovës ta procedoj marrëveshjen e demarkacionit menjëherë pas seancës së Kuvendit që do të mbahet të mërkurën”.
Lidhja Demokratike iu bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror me Malin e Zi, duke pas parasysh argumentet e plota se vija e kufirit e caktuar me marrëveshje është e shënuar në mënyrë korrekte, gjë që është konfirmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.