Lidhja Demokratike e Kosovës, në konferencën javore shfaqi qëndrimet e saja për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në vend. Vjosa Osmani nga LDK-ja tha se sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, presidenti Thaçi po negocion pa qenë i mandatuar, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se do kërkohet nga LDK-ja që presidenti t’i adresohet Kuvendit, në mënyrë që të tregojë përmbajtjen dhe rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi që sipas saj në të kundërtën do të dyshohet për rrjedhën e dialogut.
“Për dialogun me Serbinë, presidenti Thaçi po negocion pa qenë i mandatuar për të udhëhequr këtë proces. Qeveria ka konfirmuar se nuk ka vendim për të vendosur se Thaçi do ta bartë aspektin politik të këtij procesi. Nëse udhëhiqet nga presidenti ka probleme, së pari nuk ka mekanizma implementues për të udhëheq dhe nuk ka mekanizma kushtetues për të shikuar dështimet e tij. Thaçi ka mbajtur të fshefta diskutimet, përmbajtjet në takimin me Vuçiqin. Ai nuk i është drejtuar as kuvendit as qytetarëve për të treguar se çka ka biseduar”, tha Osmani.
“Çështja e dytë, njohja nga shtetet e ndryshme dhe organizatat. I bëjmë thirrje qeverisë që të ndërtojë strategji aktive, mos të jetë defanzive me Serbinë, të jetë aktive që mos të lejohet propaganda serbe të ketë suksese në shumë shtete. Kemi pas tërheqje nga antarësimi në Interpol dhe UNESCO. Deri tani duket që akoma nuk po punohet sa duhet për të përgatitur dosjet për shumë organizata”.
Ajo gjithashtu tha se është dëshmuar që bota i ka mbyllur dyert për liderët aktual, kryeministri nuk ka pasur asnjë vizitë bilaterale dhe se nuk duhet të presim që të na hjekin vizat politikanët të cilët kanë vet probleme me vizat.
Deputeti tjetër nga LDK-ja, Armend Zemaj, tha se sa integrimi i Kosovës në BE varet shumë nga luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar është kusht i domosdoshëm për procesin integrues. Qeveria e Kosovës duke përfshirë drejtuesit e sistemit të drejtësisë po vazhdojnë me deklarime dhe ku nuk ka rezultate konkrete. Korrupsioni nuk ndiqet fare”, tha Zemaj.
Kurse Ilir Deda, nga Alternativa, tha se Kosova për të siguruar rrugën për në BE, duhet ta rrëzoj Qeverinë e tanishme.
“Nëse duam ta mbrrijmë vitin 2025 si e integruar në BE duhet t’i largojmë ata të cilët e kanë kapur shtetin. Partitë që e kanë kap këtë shtet nuk mund të jenë pjesë e reformave. Ky lidership që është i papërgjegjshëm, që ka marr iniciativën për zhbërjen e gjykatës po na rrezikon lëvizjen e lirë. Betejat kryesore politikë në Kosovë në këtë vit, përpos që do të jetë marrëveshja e obligueshme me Serbinë do të jetë edhe rrezimi i kësaj qeverie, parakusht që Kosova ta shfrytëzojë stategjinë për zgjerim është rrëzimi i qeverisë së tanishme”, tha Deda.