Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës, në mbledhjen që mbajti sot ka vlerësuar se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.
“Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës dhe, në bazë të rregullave të demokracisë, kjo Qeveri konsiderohet e rënë. Temat e rëndësishme për qytetarët e vendit nuk mund të adresohen nga një qeveri e pakicës. Si rezultat, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme”, thuhet në njoftimin për media.
LDK-ja ka ftuar partitë politike të mblidhen sa më parë për të caktuar datën e zgjedhjeve, në mënyrë që këto zgjedhje të jenë të përgatitura si duhet dhe vullneti i qytetarëve të shprehet lirshëm.
“LDK-ja është e gatshme që t’i nënshtrohet vullnetit të lirë të qytetarëve në zgjedhjet e pritshme. Kryesia e LDK-së fton të gjitha strukturat e veta, në të gjitha nivelet, që të mobilizohen dhe të intensifikojnë përgatitjet e nevojshme për zgjedhje”, thuhet në njoftim.