Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron takimin e fshehtë mes përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë si tejet të rrezikshëm.
Kjo parti konsideron se veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të pret Kosova nga dialogu, kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi, transmeton Klan Kosova.
“Për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria. Mos të habitemi, në qoftë se pas disa dite do të dëgjojmë edhe për një takim të fshehtë në Beograd ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive, që është shkelje absolute e principeve të dialogut”.
“LDK është e bindur se dialogun nuk mundet dhe nuk duhet ta udhëheqë ky koalicion qeverisës dhe as Presidenti i vendit. Që të kemi dialog përmbajtjesor dhe të përgjegjshëm duhet të mbahen zgjedhet, të dal një qeveri me besim të qytetarëve dhe të arrihet pajtueshmëri e gjerë”.
“Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së”.