LDK me kërkesa maksimale, VV shantazhoi me zgjedhje

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 23:40 | Nga Ekonomia Online

Publicisti Ilir Ibrahimi tha se dy partitë që dolën fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit nuk e kanë pasë qëllim formimin e koalicionit qysh nga fillimi.

Ai gjithashtu vuri në dyshim efektivitetin e një qeverisje mes dy partive që kanë mosbesim ndaj njëra-tjetrës, njofton Klan Kosova.

“Nëse i shohim dhe i analizojmë zhvillimet që kemi pasë që nga 6 tetori dhe deri sot po shihet se të dyja partitë, Vetëvendosja dhe LDK-ja, nuk e kanë pasë qëllim formimin e koalicionit i cili do të qeveriste me vendin që u mandata nga vota e 6 tetorit”.

“Këta më shumë janë munduar që të mos bëhet koalicioni sesa të bëhet. Arsyeja mendoj se është që Vetëvendosjen e ka zënë të befasuar fitorja që ia dha votuesi më 6 tetor dhe sfidat që e presin një qeveri të udhëhequr nga Kurti. Po ashtu edhe ai mendimi se nëse do të shkohet në zgjedhje të reja do të fitonte edhe një bazë më të madhe. Ndërsa LDK-ja e ka pasë frikën se si parti e dytë do të mund të dominohej fuqishëm dhe do të ndikonte edhe në tkurrjen e mëtejshme të LDK-së”.

Ibrahimi në Zonën e Debatit tha se nuk iu ka besuar sjelljeve të dy partive derisa ishin në opozitë se do të mund të jenë në qeverisje së bashku.

“Deklaratat e Vetëvendosjes dhe LDK-së për bashkëqeverisje para zgjedhjeve kanë qenë më shumë për marketing politik sesa të qeverisjes bashkë. Nëse do të kishin atë qasjen për të bërë koalicion atëherë do të tejkaloheshin këto sfida që i pamë me negociata politike dhe gjetjen e mundësisë së kompromisit ku palët lëshojnë pe dhe shkohet përpara”.

“Edhe në fushatën zgjedhore kemi parë përplasje, sidomos të Vetëvendosjes ndaj LDK-së. Nuk mund ta marr me mend se si mund të qeveriset me këto dy parti sepse kanë shumë marrëveshje për të bërë gjatë qeverisjes dhe për të dërguar agjenda përpara”.

Publicisti Ibrahimi shtoi se Vetëvendosje dhe LDK-ja në vazhdimësi kanë pasë përplasje qysh në fushatën zgjedhore, ndërsa negociatat janë karakterizuar me shantazhe të dyanshme.

“Ka dyshime të mëdha që mund të ketë qeverisje dhe prapë e them se nuk kanë pasë të bëjnë koalicion në këtë relacion. Por, ata janë munduar t’ia lënë fajin njëri-tjetrin, Vetëvendosja me shantazh për zgjedhje me qëllimin se do ta rrisë bazën, ndërsa LDK-ja shantazhimin e ka bërë duke kërkuar maksimumin. Me këtë qasje nuk mund të arrihet një kompromis”.

“E pamë se dy partitë u takuan dhe u dakorduan për program, por nuk e dimë se çfarë programi është. Ne plasaritjet mes tyre i pamë në deklaratat për poste. LDK-ja e ka pozitën më të pafavorshme sepse është munduar që të lihet faji asaj”.
Ibrahimi akuzoi kryetarin e Vetëvendosjes se ka tradhtuar besimin e vendimit që negociatat e tyre të mos dalin në publik.

“Ka qenë gabimi më i rëndë i Kurtit me videot publike sepse këtu është lënduar besimi mes dy subjekteve që bënin dialog të mbyllur. Kurti e theu atë marrëveshje e gjithashtu edhe dalja e Glauk Konjufcës në publik dhe që tregoi për përplasjet që kanë. Zgjedhja e Konjufcës si kryeparlamentar e ka rënduar edhe më shumë situatën. Por këto dy parti mund ta riparojnë këtë situatë me tërheqjen e Konjufcës”.

Ibrahimi tha se LDK-ja i frikësohet shkuarjes në zgjedhje dhe këtë frikë po e përdorë Vetëvendosja për ta shantazhuar.

“LDK ka dashur që t’i ketë pozitat e forta që të mos humbë politikisht. Edhe LDK-ja edhe Vetëvendosja çfarë mundësie të madhe kanë pasë më 6 tetor dhe nuk e shfrytëzuan. Askush nuk ia ka marrë mendja që Vetëvendosja të kishte përkrahje edhe nga ambasada, por tre muaj më pas nuk e ka atë frymë sepse është venitur.”.

Ibrahimi nuk po e sheh të mundshëm një koalicion mes këtyre dy partive duke thënë se edhe nëse arrihet do të jetë një qeveri joefektive sepse ka mosbesim mes vete.

Të ngjashme