Pjesë e qeverisjes për katër vitet e ardhshme në Prizren nuk do të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës.
Oferta për bashkëqeverisje e ofruar nga kryetari i ri i zgjedhur, Shaqir Totaj për këtë subjekt politik, tashmë është refuzuar dhe dega e LDK’së në Prizren ka një qëndrim të prerë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në këtë qytet, Hatim Baxhaku ka konfirmuar se subjekti që ai drejton ka vendosur që të qëndroj në opozitë.
” Jo, jo, ne do të qëndrojmë në opozitë – nuk hyjmë në qeveri. Sigurisht që do të jemi një opozitë konstruktive” , ka thënë Baxhaku.
Oferta e PDK-së për LDK-në në qytetin historik ka qenë se në rast të një ujdie, LDK-së t`i takojnë katër drejtori, nënkreytari i komunës apo edhe kryesuesi i Kuvendit.
Por në këto rrethana të krijuara Partia Demokratike e Kosovës duket se ka lëvizur pak.
Në një mbledhje të mbajtur, ata kanë vendosur për emrin e Kryesusit të Kuvendit dhe në rast se janë votat e mjaftueshme, atëherë kryesuese e kuvendit komunal do të jetë, Antigona Bytyqi.
“Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, pas mbledhjes së kryesisë së degës të mbajtur sonte, e martë me datën 21.12.2021, ka propozuar për Kryesuese të Kuvendit, Antigona Bytyqi, ky propozim është përkrahur unanimisht nga gjithë anëtarët e kryesisë dhe asambleistët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Prizren. Antigona është e zgjedhur anëtare e kuvendit për herë të dytë, është anëtare e PDK-së dhe Gruas Demokratike për shumë vite dhe plotëson të gjitha kriteret profesionale për të qenë udhëheqëse e denjë. Ajo për shumë vite punon mësimdhënëse në arsim, ka integritet, aftësi menaxhuese dhe mbi të gjitha posedon aftësi komunikimi të nivelit të lartë. Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prizrenit që do të mbahet të enjtën, me datën 23.12.2021, grupi parlamentar i PDK-së do të propozoj si kandidate për Kryesuese, Antigona Bytyqi”, thuhet një njoftimin e PDK-së dega në Prizren.
Por tashmë një gjë e sigurt është se këshilltarët komunal që janë zgjedhur nga radhët e LDK-së në Prizren, nuk do ta votojnë këtë propozim.
Blic ka tentuar të flas me kryetarin e ri të Prizrenit, Shaqir Totajn, por ka kohë që ai nuk i përgjigjet thirrjeve të redaksisë.
Deri tani gjithçka që dihet është se AAK dhe Nismasocialdemokrate në Prizren, do të jenë pjesë e qeverisjes së Totajt, e të cilat do të kenë si subjekte politike, nga tri drejtori.
Ditë më parë është raportuar se në rast e LDK’ja refuzon ofertën e PDK’së, atëherë këta të fundit do të gjejnë një zgjidhje përmes komuniteteve në Prizren, në mënyrë që mos të bllokohet puna e Kuvendit Komunal për shkak të numrave.
Është raportuar poashtu se fati për bashkëqeverisje i Shaqir Totajt dhe kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama janë të lidhura ngusht me subjektet që përfaqësojnë, me që ka pasur një marrëveshje të ‘pashkruar’ se në rast të një ujdie, PDK’ja do të hynte në bashkëqeverisje në Prishtinë, sikurse LDK’ja në Prizren. Por kjo e fundit përfundimisht nuk do të ndodh.