Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hapur zyrtarisht fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 22 tetorit, me një tubim në sallën “1 Tetori”, me të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave dhe asambleistë.
Ishte kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ai i cili prezantoi kandidatët për kryetarë. Ai u shpreh i bindur se kandidatët e e tyre “do të bëjnë kthesën e fitores dhe kthesën për Kosovën”, raporton Ekonomia Online.
Ish-kryeministri ka ftuar gjithë qytetarët që ta votojnë LDK-në, si parti e vlerave.
“LDK nuk është alternativë, është zgjidhja e vetme më e mirë për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai.
“Ju ftoj të na bashkoheni të ndërtojmë një qeverisje të shëndosh, jo shoqëri të territ e krimit, ju ftoj të punojmë bashkërisht që shkollat tona të jenë qendra dhe fole të edukimit të të rinjve tanë, spitalet të ofrojnë shërbimet më të mira për qytetarët tanë”.
Ai ka thënë se qytetarët duhet bashkuar LDK-së për të arritur fitoren e madhe të përbashkët.
“Jam i bindur se do ta realizojmë këtë fitore. Ju ftoj të gjithëve që ta pranoni këtë zgjidhje, ju ftoj që së bashku të punojmë dhe fitojmë”.
“Ftoj qytetarët që të përkrahin kandidatët tanë sepse janë të përgatitur, të kompetencave të plota profesionale, të dijës të ndershëm dhe të përgjegjshëm”, deklaroi Mustafa.
Abrashi: Zgjedhjet komunale, një garë kulturash
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë se gara për zgjedhje komunale nuk është për programe politike, por është garë kulturash.
“Jemi dëshmitarë të një kulture të përbuzje dhe cinizmit, është detyra jonë të kthejmë dinjitetin e politikanit”, u shpreh Abrashi.
“Është kulturë e LDK-së të ndërtojë dhe kultivojë vlerat demokratike, të rikthejmë Prishtinë dhe të fitojmë sa më shumë komuna, mundësisht të gjitha”.
Sipas tij, programi i LDK-së i tejkalon temat ditore dhe merret me qytetarët, duke ofruar zgjidhje konkrete.
“Programi ynë politik dhe i këtyre kandidatëve është garanci se ne kemi kandidatët me dinjitozë, më profesionistë dhe më të mirë për kryetarët e komunave”.
Më tutje, Abrashi deklaroi se LDK-ja bazohet në tri shtylla të forta: liri, pavarësi dhe demokraci, “të ideuara nga presidenti historik, Ibrahim Rugova”.
Abrashi ka folur dhe programin e tij për qeverisjen e kryeqytetit. “Fokusi i programit tonë janë qytetarët… Ky program ofron zgjidhje konkrete, punësim për të rinjtë tanë, hapësira rekreative, arsim më cilësor, shëndetësi më cilësor, ofron përkrahje për gratë dhe punon e përkujdeset për sigurinë e qytetarëve tanë”.
E për kundërkandidatët e tij, ka thënë se “dështojnë për 3 vjet, e pastaj e zbukurojnë qytetin për 3 muajt e fundit”.
LDK lanson “Lidhjen” për fitore në komunat e Kosovës
Në hapje të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të enjten se jo vetëm anëtarët e simpatizantët e LDK-së, por të gjithë qytetarët e komunave që kemi udhëhequr në këto katër vitet e fundit, janë dëshmitarë se si LDK qeveris mirë, me duar të pastra dhe në mënyrë transparente.
“Pushteti lokal që do të qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në secilën prej komunave, do të jetë qeveri lokale e të gjithë qytetarëve, të cilëve do t’u shërbejë, pa asnjë dallim. Ne e kemi dëshmuar këtë në komunat që kemi qeverisur, prandaj duam t’u japim qeverisje të mirë edhe komunave tjera”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se qeveria qendrore e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka ndërprerë praktikat diskriminuese ndaj komunave të caktuara, ka shtrirë mbështetjen e qeverisë në të gjitha komunat e Kosovës dhe këtë e kanë vërejtur qytetarët e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është ndryshe, prej krejt partive dhe grupeve tjera politike që funksionojnë në Kosovë. Lidhja Demokratike e Kosovës është institucion që mishëron traditën dhe aspiratën civilizuese të popullit të Kosovës. Prandaj, jam besimplotë që më 22 tetor, qytetarët e Kosovës, do të demonstrojnë kulturën demokratike dhe veprimin civilizues evropian”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se duke dalë masivisht në zgjedhjet e 22 tetorit dhe duke votuar kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale, do t’ia rikthejnë vendit tonë imazhin e mirë dhe respektin e mbarë botës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Unë, do t’i jemi mirënjohës kontributit të secilit individ e institucion, i cili angazhohet që votimet për pushtetin e ardhshëm lokal të zhvillohen në një atmosferë të qetë, të garës së ndershme dhe demokratike”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i LDK-së, ka thënë se ata që menduan se e dëmtuan LDK-në, e dëmtuan Kosovës, e dëmtuan zhvillimin e saj, i lanë qytetarët të izoluar pa viza, i ndalën investimet dhe e ndërprenë përkrahjen financiare ndërkombëtare për vendin tonë.
“Kjo gjendje nuk do të zgjasë shumë. Do ta lirojmë Kosovën nga kjo mjegull, do t’ia japin rrugën e drejt dhe rrugën evropiane”, ka thënë kreu i LDK-së.
Ai ka shtuar se ne nuk “bëjmë konkurrencë me dhunën, sepse të tjerët janë ata që ushtrojnë dhunë. Ne nuk bëjmë konkurrencë në krim dhe korrupsionin, sepse të tjerët janë ata që janë zhytur në krim dhe korrupsion. Ne nuk bëjmë konkurrencë në propagandë të ekstremit të majtë, sepse të tjerët janë ata që bëjnë këtë propagandë”, ka thënë Mustafa.
Në fund Mustafa ka thënë se me mbështetjen tuaj të fortë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, “ju do të përçoni mesazhin se dëshironi qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh, krijimin e vendeve të reja të punës dhe luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte dhe vazhdon ta ketë rrugëtimin politik të bazuar në tri shtylla të forta: liri, pavarësi dhe demokraci, ideuar nga Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova.
“Vetëm LDK-ja e ka programin dhe njerëzit kompetentë e me duar të pastra, për të qeverisur komunat e Kosovës, në shërbim të qytetarëve. Kandidatët tanë janë njerëz me biografi të pastër, profesionistë të dalluar dhe të përgjegjshëm para qytetarëve”, ka thënë Abrashi.
Ai ka shtuar se Programi i LDK-së për qeverisjen katër vjeçare në kryeqytet dhe në të gjitha komunat e Kosovës, nuk është i bazuar në fjalë të mëdha, por në veprime konkrete nga njerëz të dëshmuar dhe të përgjegjshëm.
“Këto katër vjet që shkuan, ishin katër vite të humbura për kryeqytetin tonë. Ne nuk e kemi luksin dhe nuk duhet të lejojmë që Prishtina të humb asnjë ditë tjetër. Nuk e kemi luksin dhe nuk do të lejojmë që cilado komunë e Kosovës të humb ndonjë ditë”, ka thënë Abrashi.