Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë shpërndarë fletushka nëpër kryeqytet, në të cilën kanë kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
“LDK – PDK, dashuri për interes”, thuhet në fletushkat e shpërndara nga VV-ja në pjesë të ndryshme, përfshirë objektin e Komunës së Prishtinës.
“LDK dhe PDK si çdoherë i ka bërë bashkë interesi individual e edhe ndarjet e qarjet asnjëherë si kanë pasur për qytetarët apo publiken por vetëm për interesat e tyre të ngushta personale. Dashuria dhe lidhja e tyre vazhdon të jetë vetëm për pazare, tendere e mashtrime. Interesi i bëri bashkë, interesi i ndau. Cikël i vazhdueshëm mes tyre”, ka njoftuar VV-ja në Facebook për aksionin simbolik në ditën e të dashuruarve.
Më 8 shkurt, pasi Kuvendi Komunal votoi për anulimin e vendimit të këmbimit të pronave në Badoc, PDK-ja njoftoi se ka shkëputur koalicionin me LDK-në në Komunën e Prishtinës. Kësaj i parapriu shkarkimi i dy drejtorëve të PDK-së nga kryetari Përparim Rama.