Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen me Kryetarë të Degëve, të cilën e udhëhoqi kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në mbledhje u diskutua rreth organizimit të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në tetor, ndër të tjera thuhet se Kryetarët e degëve përkrahën Mustafën në qëndrimet e partisë për formimin e qeverisë dhe refuzimin e plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN.
“Gjatë mbledhjes u diskutua rreth organizimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor, përfshirë kriteret dhe orientimet rreth propozimeve për Kryetar të Komunave, për këshilltarë komunal si dhe programin të cilin LDK-ja do të ua ofron qytetarëve në zgjedhjet lokale”- thuhet tutje në komunikatë.
“Kryetarët e Degëve të LDK-së, gjithashtu diskutuan dhe përkrahën fuqishëm Kryetarin Dr. Isa Mustafa dhe Kryesinë e LDK-së në qëndrimet e partisë në raport me formimin e Qeverisë. Kryetarët e degëve siguruan Kryetarin Mustafa se deputetët e degëve përkatëse, janë unik dhe të bashkuar rreth qëndrimeve të LDK-së, dhe refuzimit të plotë për çfarëdo bashkëpunimi me koalicionin PAN.
Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë ditëve në vijim do të mbaj edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, kur edhe do të miratoj orientimet dhe kriteret për propozimet për Kryetar të Komunave”, njofton kumtesa nga LDK.