LDK pro qeverisë gjithëpërfshirëse, por jo më me Vetëvendosjen

Prishtinë | 31 Mar 2020 | 22:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se nuk duhet të ketë zgjedhje të jashtëzkonshme në këtë periudhë duke thënë se as nuk sheh një disponim për këtë proces.

Megjithatë, ai tha se partia e tij është e gatshme që të formojë një qeveri me shumicë parlamentare, por se këtë nuk e bën me Vetëvendosjen, njofton Klan Kosova.

Me partnerin që udhëhoqi 52 ditë qeveri, LDK thotë se do të mund ta bënte bashkë vetëm qeveria gjithëpërfshirëse.

“Është çështje e atyre që merren me interpretimin e Kushtetutës dhe të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Është në dorën e presidentit të marrë masa në këtë situatë, por unë nuk shoh arsye që Qeveria në dorëheqje në një situatë të tillë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë mendoj që duhet të gjendet mënyra kushtetuese që të formohet një qeveri e re me shumicë parlamentare ose të shkohet në zgjedhje, por assesi të vazhdohet në këtë formë”.

“Në qoftë se shterren mundësitë kushtetuese dhe e lejon Kushtetuta këtë, LDK natyrisht se është e gatshme që ta merr rolin dhe ta krijojë një shumicë parlamentare në mënyrë që të bëhet një qeveri e cila do të punonte në evitimin dhe zotimin e kësaj beteje kundër koronavirusit. Në një moment të caktuar kur të gjithë ne që jemi në Kuvend e shohim të arsyeshme të shkojmë në zgjedhje atëherë duhet të ndodhë”.

“Unë nuk shoh arsye që tani të organizohen zgjedhje në këtë periudhë, jo pse frikësohemi nga zgjedhjet sepse ato janë një sistem demokratik dhe të gjithë ne duhet të ballafaqohemi me to, por edhe nëse bëhen në asnjë rast nuk do ta kemi një zgjidhje e cila na nxjerrë ndryshe nga kjo situatë”.

Mustafa në Rubikon u shpreh se një aleancë me Vetëvendosjen, ndoshta do të mund të ndodhë vetëm me një qeveri gjithëpërfshirëse, por se këto dy subjekte nuk do të jenë më bashkë.

“Po të kishim pasur mundësi të qeverisim bashkë dhe të qëndrojmë bashkë, ne nuk do të kishim arsye t’ia krijojmë këtë telashe vetes. Me këtë sjellje të Vetëvendosjes dhe me këto dallime që janë shpërfaqur ndërmjet subjekteve tona politike dhe me këtë urrejtje të brendshme që po e tregojnë njerëzit e VV-së ndaj LDK-së, nuk do të mund të ketë bashkëpunim”.

“Për mua do të kishte arsye nëse të gjitha subjektet politike, edhe VV edhe LDK edhe subjektet tjera të gjejnë arsyen që të bëhemi bashkë dhe ta bëjmë një qeveri”.

Të ngjashme