Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se Projektligji për buxhetin, Projektligji për dialogun dhe Projektligji për pagat në sektorin publik, janë shembujt më të mirë se, siç thuhet në komunikatën e kësaj partie, “kjo pakicë qeverisëse e ka jetike mbetjen në pushtet duke shkelur të gjitha parimet”.
Në komunikatën dërguar nga LDK-ja, thuhet se koalicioni është i varur nga kushtëzimet joparimore të PSD dhe, në mënyrë indirekte, nga Lista Serbe.
“Projektligji i propozuar për buxhetin është jozhvillimor dhe me logjikë konsumuese. Projektligji për dialogun i siguron Presidentit drejtimin e dialogut, përkundër që kemi një shtet të sistemit parlamentar. Projektligji për pagat në sektorin publik, injoron në tërësi parimin e pagave të njëjta për punë të njëjta dhe parimin e rritjes së pagave në harmoni me rritjen ekonomike dhe kapacitetin buxhetor. Projektligji për pagat, thellon drastikisht diferencat me sektorin privat, ulë kapacitetet investuese dhe në mungesë të investimeve të brendshme nxitë konsumin nga importi”, thuhet në komunikatë.
LDK-ja gjithashtu thotë se Projektligji për pagat ka për qëllim që të mbulojë rritjen 100% të pagave të Qeverisë, kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave të mbi 80 zëvendësministrave, koordinatorëve koti, mbi 400 këshilltarëve e vozitësve dhe të arsyetoj pagat e larta të Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit dhe të kabineteve të tyre.
“Logjika zhvatëse e kësaj qeverie dhe kësaj pakice parlamentare e sfidon edhe shkencën e ekonomisë, sepse me një rritje ekonomike mbi 4%, synohet të rriten pagat 100%. Rritja e pagave në sektorin publik po dëmton rëndë sektorin privat, i cili me taksat e tyre e mbush arkën e këtij shteti. LDK, si pjesë e Partive Popullore Evropiane (EPP), i jep përparësi sektorit privat, rritjes së vendeve të punës, luftimit të varfërisë dhe rritjes së të ardhurave për arkën e shtetit, të cilat, shpien automatikisht tek rritja e pagave në sektorin publik. Ky projektligj për pagat dekurajon investimet e huaja direkte, për shkak të rritjes së diferencës dhe pabarazisë ndërmjet sektorit publik dhe privat”.
LDK-ja konsideron se shpërndarja e buxhetit duhet të bëhet mbi baza të kritereve të barabarta, se pagat duhet të jenë të njëjtë për punë të njëjta dhe se pagat në sektorin publik nuk duhet të rriten mbi bazën e premtimeve nga fushatat parazgjedhore dhe organizimit politik të grevave.
“Punonjësit e arsimit, sikurse edhe ata të administratës shtetërore, meritojnë paga dinjitoze dhe të drejta. Por, në kohën kur kemi themeluar ushtrinë, orientimi i buxhetit për paga dhe lënia anash e nevojave mbrojtëse, do të jetë një gabim i madh i Qeverisë dhe Kuvendit. Politikat e tilla të koalicionit qeverisës, LDK i konsideron se do të jenë barrë për shtetin, të cilën do ta paguajnë gjeneratat e ardhshme, siç po e paguajnë tani qytetarët grekë. LDK nuk do të bëhet kurrë pjesë e këtij vendimi, i cili për luksin e qeveritarëve aktualë dhe për blerje të qetësisë sociale, i fut në borxhe gjeneratat e ardhshme”.