Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e jashtëzakonshme për fazën finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në cilësinë e propozuesit të debatit, Abdullah Hoti tha se me rezolutën e propozuar ne vendosim një pikë të kuqe në procesin e dialogut, raporton EkonomiaOnline.
Sipas tij rezoluta nuk ka për qëllim ndalimin e dialogut, por pa kundërshtuar angazhimet e presidentit, Hashim Thaçi në këto negociata.
“Ky angazhim i Thaçit është kundërkushtetues. Dëmet veçse janë bërë, është kriju pasiguri e madhe ekonomike dhe sociale, janë stopu të gjitha aktivitetet e diplomacisë. Këto veprime janë antikushtetuese. Asnjëra nga kompetencat e presidentit nuk ka natyrë të pavarur. Çështjet e sovranitetit i takojnë përfaqësuesit të sovranit, të gjithë çështjet kërkojnë votat pro të 2/3 e deputetëve. Diskursi i Thaçit për gjoja mbështetje ndërkombëtare është mashtrim për tri arsye. Shkëmbimi i territoreve është ide e Beogradit. Shkëmbimit i territorit nuk i siguron Kosovës anëtarësim në OKB dhe shkëmbimi i territoreve nuk e siguron Kosovën për anëtarësim në BE,” deklaroi Hoti.
“Esenca e rendit kushtetues të Kosovës qëndron në këto shtylla: E para, çështjet e sovranitetit territorial i takojnë ekskluzivisht përfaqësuesit të sovranit, pra këtij Kuvendi. E dyta, përveç përfaqësuesve të sovranit, asnjë institucion nuk ka mandat të negociojë apo të nënshkruaj marrëveshje ndërkombëtare për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës; E treta, të gjitha çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës kërkojnë votat PRO të 2/3 të të gjithë deputetëve; E katërta, për çështjet nga neni 18.1 i Kushtetutës mund të vendoset përmes referendumit, ku sovrani e ushtron pushtetin drejtpërdrejt”.
“Por, në një republikë parlamentare si Kosova, referendumin nuk mund ta thërret Presidenti, por vetëm përfaqësuesi i sovranit, dhe atë vetëm për çështjet që janë brenda kompetencave të tij, si përfaqësues i sovranit”.
Ai ka përsëritur qëndrimin partiak se do të mbështesin vetëm një dialog ndërmjet dy shteteve.
“Thaçi po bisedon për Kosovën si për një krijesë politike në krijim. Ne jemi për një dialog me Serbinë por për një dialog mes dy shteteve. Korrigjimi i kufijve është korrigjim i deklaratës së pavarësisë. Ky kundërshtim e mbron Kosovën nga Presidenti dhe Presidentin nga vetja e tij. Territori i Kosovës është një dhe i pandashëm dhe as Presidneti, as dikush tjetër, nuk ka mandat të negociojë për kufijtë”.