Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar për Ekonomia Online se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Albin Kurti.
Ajo ka bërë të ditur se asnjë përfaqësues i LDK-së nuk do të jetë pjesë e këtij takimi, duke theksuar qëndrimin e qartë të partisë për të mos u përfshirë në asnjë marrëveshje politike për krijimin e një shumice të re parlamentare.
“Po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme.
Ajo rithekson gjithashtu se nuk është e interesuar për marrëveshje politike që do ta bënte pjesë të një shumice të re parlamentare.
“Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, shtoi ajo për EO.
EO kontaktoi dhe me deputeten e Partisë Demokratike të Kosovë, Blerta Deliu-Kodra, e cila tha se si parti ende nuk kanë një qëndrim për pjesëmarrje ne takimin e thirrur nesër nga Kurti.
“Ende nuk kemi qëndrim”, theksoi Deliu Kodra.