LDK: Rritja e administratës së Komunës të Prishtinës me tri drejtori të reja paraqet ngulfatje

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 11:44 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qeverisja në Komunën e Prishtinës është e degraduar dhe ajo çfarë po ndodh në këtë komunë është fatkeqësi, tha asamblisti i LDK-së në komunën e Prishtinës, Arban Abrashi, në një konferencë të thirrur për media.

Ai më tutje ka renditur projektet e parealizuara në komunën e udhëhequr nga Shpend Ahmeti.

“Ajo çka po ndodh në komunën e Prishtinës është fatkeqësi për komunën e Prishtinës dhe qytetarët e Prishtinës. Nga 107 projekte të parapara deri në maj janë publiku vetëm 66 projekte. Kjo është shumë pak, sepse e dinë që projektet duhet të paraqiten të publikohen. Edhe ky 61 përqind i projekteve që janë nënshkru rrezikon të dështojë”.

Abrashi ka akuzuar qeverisjen e Shpend Ahmetit që po merret me projekte që janë në interes të grupeve të caktuara e jo të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

Ai përmendi shtimin e tri drejtorive të reja si dhe marrjen me qira të 60 veturave që, sipas Abrashit, ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve dhe në uljen e të hyrave.

“Derisa projektet zhvillimore nuk po ecin përpara, në Komunën e Prishtinës janë projekte që janë në interes të grupeve të caktuara, asnjëherë në interes të qytetarëve. Kemi parë një rritje të administratës të komunës me tri drejtori të reja, që paraqet një ngulfatje”.

“Me numrin më të madh të drejtorive në të gjitha komunat e Kosovës që është edhe një buxhet shtesë dhe ngarkesë shtesë në Komunën e Prishtinës. Komuna e Prishtinës ka marrë me qira mbi 60 vetura, që paraqet një politikë kundërthënëse me atë çka është paraqitë”.

Deputeti i LDK-së nuk ka komentuar platformën që pritet të diskutohet sot në kuvend. Ai ka thënë se LDK-ja ka bërë të qartë se duhet të ketë informata shtesë lidhur me këtë platformë, raporton EO.

Mirëpo, sipas tij, qëndrimi i LDK-së për këtë çështje do të bëhet i ditur ditëve në vijim.

“Sa i përket platformës, LDK-ja e ka bërë të ditur se duhet informata shtesë. Në këtë javë do të dihet qëndrimi i LDK-së… LDK nuk i ikë dialogut”.

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës ka paralajmëruar mbajtjen e konferencave të ngjajshme në të cilat, sipas tij, do të vazhdojnë me shpalosjen e dështimeve të projekteve në Komunën e Prishtinës.

Të ngjashme