Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur programin për drejtësi, mbrojtje dhe siguri në kuadër të “Rrugës së Re”, ku kandidati për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, prezantoi planet për reforma të thella në këta sektorë.
Në një tubim në Lipjan, Abdixhiku theksoi transformimin e policisë, rritjen e pagave dhe shtimin e numrit të oficerëve në 10,000, si hapa të rëndësishëm për të forcuar sigurinë dhe shërbimet për qytetarët, raporton Ekonomia Online,
Programi parasheh forcimin e infrastrukturës policore, përfshirë vendosjen e 2,000 kamerave trupore dhe krijimin e një policie të bashkësisë për çdo lagje. Po ashtu, Abdixhiku vuri theksin te anëtarësimi në NATO, duke premtuar investimin e 2% të PBB-së për mbrojtje dhe një partneritet të fuqishëm me SHBA-të dhe aleancën euroatlantike për garantimin e stabilitetit.
Në fund, ai nënvizoi nevojën për avancimin e arsimit ushtarak dhe trajnimin për emergjenca, duke e cilësuar këtë program si një vizion për një Kosovë më të sigurt, më të fuqishme dhe të përgatitur për sfidat e së ardhmes.