Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës akuzojnë kryetarin e Prishtinë, Shpend Ahmeti, se ka keqmenaxhuar 80 mijë euro të buxhetit të Komunës përmes subvencioneve.
Shefi i grupit parlamentar të asamblistëve në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, thotë se përpjekja nga Shpend Ahmeti dhe bashkpunëtorët e tij për denigrimin e njerëzve që mendojnë ndryshe po bëhet me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes të qytetarëve nga problemet dhe keqpërdorimet serioze të qeverisë të Komunës së Prishtinës.
“E vërteta është se ky kryetar dhe ekipi i tij në Komunën e Prishtinës nuk janë vetëm gënjeshtarë. Ata janë edhe hipokritë. Ndoshta edhe më shumë se kaq. Ata nuk i kanë vetëm dy fytyra, por disa sosh. Fytyra e tyre e vërtet po del në pah çdo ditë dhe për këtë po i referohemi disa fakteve të zbuluara nga Auditori i Përgjithshëm”, thuhet në reagim.
Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2015 janë të shumta.
“Disa nga të gjeturat kanë të bëjnë edhe me parregullsitë e identifikuara në ndarjen e subvencioneve për persona fizik dhe juridik. Kjo krijon bazën e dyshimit për vepra penale të kryera nga kryetari i komunës me rastin e nxjerrjes së vendimeve për ndarje të subvencioneve, sepse bëhet fjalë për shkelje procedurale dhe materiale për 13 përfitues të subvencioneve për projekte në vlerën prej 79 868 €”, thuhet në reagim.
Gashi ka paraqitur raportin për vitin 2015 të Auditorit të Përgjithshëm si vijon:
- Në rastin e përkrahjes së projektit “Studimi i florës dhe faunës në parkun Gërmia” në vlerë totale prej 15 000 € për dy persona, pagesave nuk i kanë të bashkangjitura: rekomandimin, kërkesën formale, projektin dhe raportin kthyes. Për më tepër, kontrata është lidhur pas përfundimit të studimit. Qëllimi i shpenzimit ishte shpallja e parkut të Gërmisë si peizazh i mbrojtur kategoria 5, që nuk përkon me qëllimin e subvencionimit sipas rregullores.
- Pagesa për “ETEA” në vlerë 5 000€ ishte bërë në muajin gusht, edhe pse projekti – Dita botërore e muzikës në Prishtinë ishte realizuar në muajin qershor.
- Një shumë prej 1 000 € i është dhënë subvencion për botimin e një libri në llogarinë personale të përfitueses. Përfituesja e subvencionit nuk është banore e Prishtinës.
- Kryetari kishte marr vendim për subvencionim të orkestrës kamertale në vlerë prej 10 000€, edhe pse kërkesa nga orkestra kamertale ishte 5 940 €. Për më tepër, është kërkuar mbulimi i shpenzimeve të mëditjes për 25*50 € (1 250 €), akomodimi, biletat, telefonat, reklamat etj., dhe pagesa e këstit të parë nuk ka të bashkangjitur raport kthyes.
- OJQ Artpolis ishte subvencionuar me 3 500 € për mbajtjen e festivalit FEMFEST. Ekzekutimi i projektit nuk ishte kryer brenda afatit. Në këso raste, me kontratë parashihet ndërprerja dhe kthimi i parave.
- Komuna kishte financuar “OVL-UÇK” në vlerë 2 350 € për projekte që kishin përfunduar. Subvencioni ishte kërkuar për shënimin e 18 Prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës, ndërsa pagesa ishte bërë në muajin qershor.
- Në rastin “APK” – 4 000 € për organizimin e panairit të librit 1-6 qershor të këtij viti, komuna kishte marr vendim dhe kishte lidhur kontratë me vonesë dhe pagesa ishte bërë në muajin e shtator, pasi që projekti kishte përfunduar.
- Në dy pagesa prej 13 000 € për klubin hendbollistik “Prishtina”, mungon rekomandimi i komisionit, kërkesa formale dhe raporti kthyes.
- Me rastin e subvencionimit për “Sport Marketing“ në vlerë prej 10 000 € për aktivizimin sezonal të liqenit të Gërmisë, komuna nuk kishte pranuar asnjë projekt, rekomandim nga komisioni, e as nuk kishte marrëveshje me përfituesin. Qëllimi i pagesës është mbulimi i borxheve për shkak të vështirësive financiare të kësaj kompanie që nuk përputhet me qëllimin e subvencionimit sipas rregullores.
- Subvencionimi për ekskursionin e shërbyesve civil në Durrës/Shqipëri në vlerë 5 000€ për shpenzime të akomodimit dhe transportit, nuk përputhet me qëllimin e subvencionimit.
- Për pagesën prej 10 000 € për teatrin “Dodona” nuk ka projekt, nuk ka kërkesë, rekomandim të komisionit dhe vendimi është për vlerën 20 000 €, ndërsa pagesa është e pjesshme.
- Me rastin e subvencionimit për shoqatën e filozofëve të Kosovës në vlerë 1 000 €, pagesa ishte bërë pas përfundimit të ngjarjes dhe nuk ka raport kthyes.
- Me dy pagesa në vlerë 18 000 € komuna e kishte subvencionuar kompaninë Trafiku Urban për shpenzime të naftës, paga të punëtoreve dhe borxhe tjera. Lënda nuk ka të bashkangjitur rekomandimin e drejtorisë përkatëse, kontratën apo një raport kthyes për paratë e harxhuara.
Këto të dhëna për keqmenaxhimin e parasë publike janë vetëm disa nga arsyet që kryetari i Prishtinës, deri më sot nuk u ballafaqua me Kuvendin e Komunës, sepse keqmenaxhimi dhe dështimet e vazhdueshme gjatë qeverisjes tre-vjeçare nuk është lehtë të arsyetohen para këshilltarëve dhe opinionit të gjerë.