LDK: Shumë lagje të kryeqytetit pa objekte shkollore

Prishtinë | 16 Nën 2016 | 15:21 | Nga

Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka vlerësuar se mungesa e objekteve shkollore në Kalabri, Vetërrnik, Mat, Sofali dhe Arbëri, tek Përroi i Njelmët dhe në lagje të tjera të kryeqytetit ka shkaktuar rritjen e numrit të nxënësve në SHFMU “Hasan Prishtina”, “Ismail Qemaili”, “Faik Konica”, “Meto Bajraktari”, “Dardania” dhe disa institucione tjera të këtij niveli shkollor.

Kjo sipas LDK-së po ndodh sepse Komuna e Prishtinës në tri vitet e fundit nuk ka filluar të ndërtojë asnjë objekt shkollor, përkundër planifikimit të përvjetshëm dhe mundësisë potenciale që i ka për financimin e ndërtimit të kësaj infrastrukture.

“Drejtoria Komunale e Arsimit e Komunës së Prishtinës për çdo vit po përpiqet të promovojë mësimin gjithëditor në të njëjtat institucione, ku mësimi zhvillohet në dy ndërrime, ku mungon infrastruktura elementare, ku nxënësit nuk i janë krijuar kushtet e domosdoshme të qëndrimit gjatë gjithë orarit të mësimit gjithë ditor në mënyrë që të ndjehet si në ambientin familjar ku ai do të mund të ushqehet, të argëtohet e të zhvillojë aktivitete në fusha të ndryshme mësimore dhe ku ai, përpos mësimit bazik, të mund të përfitojë nga programet e fushave të ndryshme”, thuhet në komunikatën e LDK-së për medie.

LDK thekson se çfarë pasojash ka shkaktuar mosrealizimi i planifikimit të përvjetshëm në infrastrukturën shkollore nga qeveria komunale e Komunës së Prishtinës mund të shohim pamjet përreth shkollave kur nxënësit shkojnë në mësim dhe kur ata lëshohen nga mësimi.

“Përreth objekteve shkollore po krijohet kaos nga veturat dhe transporti i organizuar për të sjellë fëmijët dhe për t’i kthyer ata në shtëpitë e tyre nga lagjet ku mungojnë objektet shkollore. Po ashtu, kjo gjendje ka ndikuar dukshëm që, në këto institucione, të rritet numri i nxënësve dhe të ndikojë që mësimi të zhvillohet në dy e më shumë ndërrime. Kjo po ndikon që të ngushtohet hapësira shkollore për kokë nxënësi gjë që automatikisht ndikon në pengimin e ngritjes së cilësisë në mësime”, theksohet në komunikatë.

LDK thotë se qasja me gjakftohtësi në këtë fushë e qeverisë komunale në Prishtinë dhe mos vënia në prioritet e ndërtimit të objekteve shkollore në politikën zhvillimore tregon se sa e kanë dëmtuar arsimin e Prishtinës politikat e Shpend Ahmetit dhe Vetëvendosjes në këto tri vitet e qeverisjes së tyre.

“Jo vetëm kaq, por ka edhe shumë anomali tjera, të cilat nuk ishin pjesë e premtimeve të tyre në kohë fushate, por që tani duke qenë pjesë e politikave qeverisëse po dëshmojnë se shkollat e Prishtinës janë shndërruar në institucione ku punësohen militantët e VV-së, ku po bëhen spastrime politike dhe po zgjedhen drejtorë të anëtarësuar në VV, ose janë në lidhje të ngushta me rrjetin e militantëve të VV-së, ku punësohen mësimdhënës, kryesisht nga Gjakova dhe komuna tjera anembanë Kosovës si anëtarë të VV-së e më së paku të Prishtinës”, përfundon komunikata.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme