Leedsi harron ferplejin, s’do ta ndalë lojën në rast të lëndimeve

Prishtinë | 11 Maj 2019 | 09:57 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Leeds Unitedit, Marcelo Bielsa, ka udhëzuar futbollistët e tij që të mos e nxjerrin topin jashtë fushës nëse një kundërshtar mbetet i lënduar, por të luajnë deri në momentin që arbitri e ndal lojën.

Futbollistët e Leedsit kështu do të veprojnë gjatë plejofit të Championshipit, i cili nis në shtunën (sot). Në gjysmëfinale, Leedsi do të përballet me Derby Countin, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Vendimi i Bielsas për të vepruar në këtë mënyrë vjen pas golit të diskutueshëm kundër Aston Villas në fund të muajit të shkuar kur mesfushori Mateusz Klich nuk e nxorri topin jashtë fushës, por vazhdoi drejt portës dhe shënoi gol, ndërsa një lojtar kundërshtar, Jonathan Kodija, ishte i shtrirë në tokë.

Goli shkaktoi reagime të ashpra dhe madje përleshje në fushë ku Anwar El Ghazi i Aston Villas u përjashtua me karton të kuq. Pas gjithë kësaj situate dhe protestave, Bielsa u detyrua të qetësonte gjakrat dhe u kërkoi lojtarëve të tij që të lejonin Aston Villan të shënonte gol me të nisur topi nga qendra. Kështu u barazua menjëherë rezultati në 1:1, me të cilat shifra përfundoi edhe ndeshja.

Leeds United pjesën e rregullt e mbylli në pozitën e tretë në tabelë me 83 pikë dhe do të luajë në plejof në kërkim të një vendi në Premier League për edicionin e ardhshëm. Norwichi e Sheffield Unitedi si dy skuadrat e para Championshipit janë kthyer në elitë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme