Opozita e sotme duke i shfrytëzuar aktet korruptive të pushtetit aktual, sikur po kërkon justifikim për korrupsionin e saj në të kaluarën. Pra në pamundësi për ta përjetuar katarsisin e domosdoshëm politik, ajo po tenton ta relativizojë korrupsionin dhe abuzimin me të cilin qe identifikuar sa ishte në pushtet, duke e transmetuar mesazhin se tashmë të gjithë jemi fajtorë dhe të korruptuar.
Kurse pushteti aktual, duke e shfrytëzuar korrupsionin e së kaluarës po kërkon justifikim dhe shfajësim për veprimet dhe skandalet korruptive që janë duke shoqëruar aktualisht. Dhe kjo gjendje ka krijuar një situatë paradoksale, ku partitë politike janë në kërkim të legjitimitet politik nëpërmjet justifikimit të korrupsionit, sepse sipas narracionit të tyre, pala tjetër është më e korruptuar sesa ata.
Kjo situatë nuk është aksidentale. Ajo vjen si rezultat i atyre qëndrimeve politike partiake që e karakterizon shpërfillja ndaj proceduralizimit dhe shtetit si entitet i të gjithëve. Në të kaluarën impulse të tilla u kultivuan nga shtytja për ta shfrytëzuar shtetin vetëm për interesa private. I pari shërbente vetëm si trampolinë për këto të fundit. Kurse pushteti aktual, sa ishte në opozitë e pat ushqyer një qëndrim tjetër.
Sipas botëkuptimit të tij, lojaliteti ideologjik ndaj Lëvizjes dhe standardeve të saj duhej të ishte më i rëndësishëm sesa besnikëria ndaj shtetit. Sepse ky i fundit nuk ishte shprehje e vullnetit autentik qytetar.
Ndërkohë, sa më shumë që stërkeqej sjellja politike e “regjimit të vjetër” aq më shumë qytetarë e shihnin vetën të përjashtuar nga shteti, prandaj filluan të gjejnë satifisakion gjithnjë e më tepër nën pushtetin e lëvizjes.
U krijua nje realitet paralel, ndermjet shtetit ne njeren ane qe shihej vetem si mekanizem per nje elite te kufizuar financiare dhe politike dhe pjese tjeter te shoqerise qe e pa shpetimin te Levizja.
Mirëpo, me ardhjen në pushtet të kësaj të fundit tani duhej të drejtohej një strukturë që ishte konsideruar dytësore në raport me Lëvizjen. Dhe duke qenë se tash ideologjia nuk mund të kryente punë, pasionet dhe interesat personale e zunë vendin e saj. Korrupsioni u bë fenomen i pashmangshëm i kësaj logjike. Sepse me zbehjen e forcës kohezive të së parës, mbeten vetëm të dytat.
Fal këtij realiteti bizar shoqëria dhe shteti i Kosovës ka mbetur peng ndërmjet këtyre dy ekstremeve korruptive. Prandaj, shtegdalja nga kjo situatë do të jetë e pamundur për aq kohë sa forca të mirëfillta shtetërore të mos shndërrohen në alternativë të njëmendt qytetare.