Pas humbjes, Manchester City mbetet në vendin e katërt të Premier League, katër pikë larg nga Arsenal dhe Chelsea, që ndajnë vendin e parë, por Chelsea ka luajtur një ndeshje më pak.
Leicester City ka fituar 4-2 ndaj Manchester City në “King Power Stadium” me tre gola të shënuar në 20 minutat e para të lojës, duke kujtuar diçka nga lavdia e sezonit të kaluar. Sulmuesi Jamie Vardy kaloi në avantazh kampionët e Anglisë, pas pasimit të marrë nga Slimani, në minutën e tretë të lojës. Dy minuta më pas, skuadra e Claudio Ranieri shënoi sërish, këtë herë me Andy King, me një goditje të saktë nga hyrja e zonës.
Manchester City kaloi nga shiu në breshër, kur në minutën e 20-të të pjesës së parë, Jamie Vardy tregoi shenjat e futbollistit të parë në sezonin e kaluar teksa shënoi golin e tretë për Leicester, pasi dribloi edhe portierin Claudio Bravo, pas pasimit të marrë nga Ryad Mahrez. 3-0 për vendasit u mbyll pjesa e parë. Ishin 45 minutat më të tmerrshme në Angli, për Pep Guardiolën. Dhjetë minuta para fundit, Vardy shënoi edhe golin e tretë personal dhe të katërtin për Leicester
Manchester City mbetet në vendin e katërt të Premier League, katër pikë larg nga Arsenal dhe Chelsea, që ndajnë vendin e parë, por Chelsea ka luajtur një ndeshje më pak. Miqtë shënuan dy herë në pesë minutat e fundit, me anë të Kolarov dhe Nolito, por pa mundur të shmangin humbjen e tretë për ekipin e Pep Guardiola në këtë kampionat, ndërsa Leicester City i largohet disi zonës së ftohtë dhe ngjitet në vendin e 14-të me 16 pikë, katër pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.