Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kanë vizituar vendin Qafë Prush në kufi me Shqipërinë, raporton Ekonomia Online.
Ministri Lekaj tha se kjo rrugë e bën Gjakovën joshëse për turizëm sepse një hapësirë e tillë ka munguar.
Ai tha se shpreson që kjo pikë të shndërrohet në pikë turizmi dhe të krijohen rrugë që kanë rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe në turizëm.
“Jemi në lartësinë 1 mijë e 305 metra është rrugë atraktive që Gjakovën e bën joshëse për turizëm sepse ka munguar një hapësirë e tillë e sidomos në këto bjeshkë kaq të bukura në kufi më Shqipëri dhe ka rëndësinë e vet që kanë rënë heronj tanë në këtë vijë fronti dhe është investim që kujton ata që kanë ra si Luan Haradinaj. Shpresojmë se kjo pikë të shndërrohet në pikë turizmi dhe do krijojmë rrugë që kanë rëndësi në zhvillimin ekonomik dhe të turizmit”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se shpreson që me ndihmën e ministrisë së Infrastrukturës edhe kjo rrugë të asfaltohet.
“Kjo është pikë që kemi fol gjatë fushatës, kjo rrugë tashmë është hap dhe shpresojmë se shpejtë me ndihmën e ministrisë do kemi edhe asfaltim të kësaj rrugë do shohim mundësitë kjo është një pjesë që shumë qytetarë nuk e kanë ditë që ekziston. Shpresojmë që vitet që vijnë, kjo pjesë të jetë e urbanizuar dhe ta kemi një vend për rekreacion”, tha ai, raporton EO.