AAK-ja nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga posti i presidentit. Nënkryetari dhe deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, i tha Gazetës Express se nuk lëvizin nga qëndrimet e tyre pa marrë parasysh deklaratat e të tjerëve dhe se Ramush Haradinaj është propozimi i tyre për shef të shtetit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një intervistë për Express tha se Isa Mustafa është figurë unifikuese për president.
Por të njëjtin mendim nuk e ndan partneri qeverisës AAK-ja, e cila tashmë ka propozuar Ramush Haradinajn për pozitën e të parit të shtetit.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se pa marrë parasysh se çfarë thotë partneri i tyre qeverisës duke iu referuar deklaratës së kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri, partia e Haradinajt nuk lëviz nga qëndrimi i tyre.
“Partitë politike kanë të drejtë të kërkojnë atë që mendojnë se është zgjidhje e mirë sipas tyre, ndërsa ne kemi qëndrimet tona. Duhet të bisedojmë me njëri-tjetrin për të zgjedhur presidentin dhe AAK-ja e ka bërë tashmë propozimin e saj, Ramush Haradinajn. Ne nuk lëvizim prej qëndrimit tonë, pa marrë parasysh çka thonë të tjerët”, tha Lekaj për Express.
Ramush Haradinaj në vazhdimësi ka pasur fërkime me kryeministrin Avdullah Hoti përfshirë qasjen në dialog e deri te shuarja e task-forcës.
Ish-komandanti i UÇK-së deri tani nuk ka marrë ndonjë aprovim se partia e Isa Mustafës do ta mbështesë për president.
Haradinaj kishte deklaruar se nëse nuk zgjidhet president atëherë vendi shkon në zgjedhje të reja.
“Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje”, kishte thënë ai për Radion Evropa e Lirë pas mandatimit nga partia e tij.
Por i dyti i LDK-së, Lutfi Haziri, mendon se kryetari Isa Mustafa është figurë unifikuese për president të Kosovës.
Megjithatë, Lutfi Haziri nuk i ka përjashtuar edhe zgjedhjet e reja nëse partnerët e koalicionit nuk merren vesh për postin e presidentit.
“Nuk jemi të gatshëm të bëjmë kompromise në kurriz të Qeverisë aktuale, jo vetëm për shkak të LDK-së, por për shkak të partnerëve të koalicionit. Kemi hyrë me ta në mirëbesim dhe dëshirojmë që me mirëbesim t’i zgjidhim problemet, në shkallën e parë. Ndërsa në shkallën e dytë, duhet që partnerët e koalicionit dhe opozita të ulen dhe ta gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe një format dialogu duhet të ndërtohet shpejt, i cili i jep vendit president, Qeveri apo mundësisht edhe datë të zgjedhjeve, sepse nuk përjashtohet ky opsion”, ka thënë Haziri për Express, të mërkurën.
Hashim Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor të këtij viti kur gjyqtari i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara konfirmoi aktakuzën ndaj tij për krime lufte.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së presidentit sipas Kushtetutës ka mandat 6-mujor, deri më 5 prill 2021 dhe brenda këtij afati kohor vendi duhet të zgjedhë një president të ri. /