Lekaj inspekton dy projekte rrugore në komunën e Istogut

Istog | 17 Tet 2017 | 15:03 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i shoqëruar nga kandidati për kryetar të komunës së Burimit (Istogut) Gani Dreshaj dhe deputeti Bekë Berisha, inspektoi dy projekte rrugore të kësaj komune të cilat do të rikonstruktohen.

Gjatë kësaj vizite, ministri Lekaj, vizitoi rrugën Lubozhdë-Lug i Butë në gjatësi prej 18 kilometrash.

“Në këtë vizitë ne sot jemi me kërkesën e qytetarëve, të komunës së Burimit. Këto dy rrugë kanë impakt pozitiv në zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi. Ne zotohemi para kandidatit për kryetar të komunës dhe para deputetit që do t’i kryejmë obligimet tona dhe kjo rrugë të fillojë në qershorin e vitit që vjen. Ne do të punojmë maksimalisht që të mos stërzgjaten projektet sikur deri më tani nga Qeveritë e mëparëshme, por ju premtoj se punimet e kësaj rruge do të përfundojnë në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Lekaj, për gazetarët.

Ndërsa Gani Dreshaj, kandidat për kryetar të komunës së Istogu nga radhët e AAK-së, të cilës parti i takon dhe ministri Lekaj, tha se kjo rrugë ka një rëndësi të madhe për këtë anë. “Ju premtojmë qytetarëve që rruga do të përfundohet sa më shpejt pasi që të gjitha kompanitë kanë premtuar që do të bëjnë edhe punë vullnetare, që rruga të ndërtohet sipas standardeve dhe me gjerë si deri 5 metra e gjysmë”.

Ministri Lekaj gjatë ditës së sotme vizitoi edhe rrugën e Syne – Mokne, që ka një gjatësi rreth 25 kilometra.

Pas inspektimit të kësaj rruge, ministri Lekaj theksoi se edhe kjo rrugë ka rëndësi të madhe për zhvillimin e blegtorisë dhe turizmit. “Ajo do të ketë ndikim edhe në punësimin e qytetarëve të kësaj komune që janë kërkues që të kenë një vend pune si dhe në zhvillimin e ekonomive familjare. Ju premtoj se ne si ministri do të bëjmë më të mirën e mundshme, në asfaltimin e rrugëve në fjalë. Ndërtimi i këtyre rrugëve do të ketë ndikim pozitiv,ne jemi këtu për të krijuar projekte për zhvillimin e kësaj komune, unë shpresoj që po vijnë ditë të mira për Istogun”, tha Lekaj.

Ndërsa deputeti i kësaj zone, Bekë Berisha, falënderoi Ministrinë e Infrastrukturës, për ndihmën në rregullimin e infrastrukturës rrugore të kësaj ane.

“Kjo rrugë e lidhë Istogun ne Moknën, ndërsa fshati Mokne lidhet me Zubin-Potokun që është komunë e jona, si dhe me Tutinin që është andej kufirit. Në këtë trevë është e zhvilluar blegtoria, ku mbahen mijëra krerë lopë dhe dele. Me asfaltimin e kësaj rruge do të mundësohet që produktet blegtorale të mos shkojnë dëm, por do të transportohen sa më shpejt dhe më lehtë deri tek tregu për shitje”, th ai.

Ministria e Infrastrukturës në planifikim e saj buxhetor parasheh që këto dy rrugë të fillojnë në mesin e vitit 2018. Kjo ishte dhe kërkesë e banorëve dhe e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Gani Dreshaj e Bekë ​Berisha.

Të ngjashme