Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, bashkë me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, kanë përuruar disa rrugë në këtë komunë.
Ata morën pjesë në përurimin e rrugës Gjakovë-Ponoshec dhe fillimin e punimeve në rrugën Smolicë-Nivokaz, si dhe inspektuan në punimet në ndërtimin e urës në rrugën nacionale Gjakovë-Smolicë, raporton Ekonomia Online.
Ministri Lekaj tha se kjo është rrugë e rëndësishme pasi lidh Kosovën me Shqipërinë, dhe se do të vazhdojë që të investohet në rrugët që lidhin dy shtetet.
“Jemi në një rrugë që është arterie e veçantë, që e lidh Kosovën me Shqipërinë, por e lidh edhe me komunën e Junikut, Deçanit dhe të gjitha këto fshatra. Ky është mesazh se Qeveria bashkë me ministrinë po i kryejnë punët dhe po ua lehtësojnë punët qytetarëve”.
Madje Lekaj vitin 2018 e ka quajtur vit të investimeve në infrastrukturë me impakt pozitiv në mirëqenien e qytetarëve.
“Ne do të vazhdojmë me projekte të tjera në komuna, në tërë Kosovën dhe mund te them që ky vit ka qenë viti më i suksesshëm që ka përjetuar Kosova së i përket infrastrukturës”, ka thënë ministri Lekaj.
Lekaj ka thënë se në bashkëpunim me institucionet, ashtu edhe banorët kjo urë ka gjetur zgjidhje dhe ka filluar ndërtimin.
“Unë si ministër, bashkë me bashkëpunëtorët dhe kryetarin e komunës kemi gjet mirëkuptim, edhe tek banorët që na kanë lejuar që ne të punojmë. Kjo urë është e gjatë 68 metra dhe kushton 550 mijë euro dhe do të kryhet në afat të caktuar”.
“Ne e kemi zgjedhe pushtetin lokal për të investuar sepse është bazë e zhvillimit ekonomik, është bazë e gjithçkafit që ndërtohet shteti dhe që ka impakt pozitiv në mirëqenien e qytetarëve”.
Gjatë përurimit të rrugës Gjakovë-Ponoshec, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kjo rrugë me investim të MI kap shumën mbi 800 mijë euro.
Në fillimin e punimeve në rrugën Smolicë-Nivokaz, u tha se kjo rrugë ka qenë e domosdoshme për t’u ndërtuar, kurse u përmend si viti më i suksesshëm, 2019.
“Jemi në një rrugë e cila ka pritë me u ndërtuar një kohë të gjatë, rrugë që e lidh Smolicën, Stubllën, Bërjahën dhe Nivokazin. I lidh këto fshatra, e letëson jetën e qytetarëve, e nxënësve që gravitojnë nëpër shkolla që lidhen me këtë rrugë”.
“E ke premtuar kur ke qenë kryetar, po ti s’ke pasur ministër, kështu që tash është më lehtë. Është rrugë që kushton diku 730 mijë euro, diku janë 6 kilometra rrugë”, ka thënë kryetari i Gjakovës.
“Me investime të MI është rishtruar rruga e Rekës së Keqe, pra prej Gjakovës deri ne Ponoshec. Është një rrugë që ka qenë në një gjendje të keqe, tani është shndërruar në një rrugë jashtëzakonisht të mirë, me një punë shumë te shpejtë dhe të sakte të MI. Është rrugë që ka kushtuar 850 mijë euro”.
Gjini tha se kjo urë pavarësisht kërkesave të kaluara për ndërtim, vetëm tash ka marrë përgjigje, raporton EO.
“Kemi pasur raste kur kemi pritur për riparim me vite. Kësaj radhe, në momentin që është dëmtuar, veç kanë nisur procedurat për ndërtimin komplet të urës së re”.