Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, kanë pasur një përplasje gjatë raportimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ministrja Rizvanolli foli për punën e saj në këtë dikaster, me ç’rast tha se mjetet që i ndajnë për ndërmarrjet publike shkojnë në vendin e duhur, raporton Ekonomia Online.
“Sa i përket performancës, më tregoni një e unë ju tregoj shumë që kanë pasur përmirësime. Ne edhe nëse kemi dhënë e kur kemi dhënë, kemi shkuar në vendin e duhur dhe kemi dhënë për t’i përkrahur ndërmarrjet, për dallim prej herëve tjera”, tha Rizvanolli, teksa ndërhyri deputeti i AAK-së, Pal Lekaj duke e pyetur se në çfarë adrese i kanë dhënë këto mjete.
“Dua saktësisht të ma thuash se ku i keni dhënë”, pyeti Lekaj.
Me këtë rast, ndërhyri Muja, duke i thënë se në të kaluarën janë shpërndarë mjete pa procedura.
“Armend Muja nëse jeni avokat i ministres, atëherë a ki ndonjë autorizim. Unë po e pyes këtë (ministren)”, tha Lekaj. Ndërsa Rizvanolli tha se nuk ka nevojë për avokat.