Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), Pal Lekaj dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, kanë vizituar vendin e fillimit të punimeve në rrugën Kralan – Shqiponjë dhe fillimin e punimeve në rrugën e Cufadolit, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, tha se kjo rrugë ka domethënie të madhe dhe është i lumtur që po punohet në rrugën ku kanë kaluar shumë dëshmorë të rënë për lirinë e vendit.
“Kjo rrugë ka domethënie të madhe sepse po niset nga Shqiponja heroike që ka bërë rezistencë ndaj Millosheviqit dhe krenohemi për ushtarët e Shqiponjës është e mirë që po përkujtojmë edhe ata që kanë rënë dhe na kanë mundësuar ta kemi shtetin tonë. Shqiponjën e lidh me Pejën, Prishtinën dhe Gjakovën dhe kjo ka qenë artileri ku kanë furnizuar me armatim dhe kërkojmë nga kompania të punojnë me intensitet dhe me cilësi siç e parashikon kontrata”, tha Lekaj.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se kjo rrugë është rreth 6.6 km dhe ka qenë premtim tjetër për komunën e Gjakovës.
“Një rrugë që banorët e kësaj ane e kanë pritur shumë gjatë 6.6 km një barrë e rëndë për qeverisjen lokale e kemi gjet mbështetjen nga qeverisja Haradinaj më në fund kjo rrugë po nis, e quajtur më parë si rruga e UÇK-së. Jam i lumtur që po nis kjo rrugë sot dhe që po e mbajmë edhe një premtim tjetër”, tha ai.
Gjenerali Lahi Brahimaj tha se është dashur 20 vite të pritet që Haradinaj të qeverisë dhe të punohet në këtë rrugë.
“Është emocion ku në këtë rrugë kanë kaluar dhjetëra dëshmorë e heronj, kjo rrugë ka qenë e shtruar më parë nga vetë banorët është dashur të pritet mbi 20 vite të vij qeverisja Haradinaj për ta bërë këtë rrugë”, tha Brahimaj, raporton EO.