Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj iu ka drejtuar me një letër publike me plotë pyetje kryeministrit Isa Mustafa për aktualitetin politik në Kosovë.
Deputeti i AAK-së në veçanti është ndalur te vizita e zëvendësit të Mustafës, nga Lista Serbe, Branimir Stojanoviq në Bruksel, ku me zyrtarët e BE-së po bisedon rreth Ligjit për Trepçën, të cilin Lista Serbe e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo është letra e plotë e deputetit Lekaj:
A po sfidohesh Isë, nga zëvendësi?!
Zëvendësi juaj nis lobimin në Evropë kundër ligjit për Trepçën e kundër Kosovës, e ju vazhdoni të heshtni.
Pyetja është se me të hollat e cilit buxhet po e lufton Kosovën, ky paramilitarë politik, në Bruksel?
Çfarë “dëmesh” të tjera ka për të prezantuar zëvendësi ytë në takimet e tij në Bruksel…A pajtoheni me qëndrimet e tij?
A jeni i informuar me këto agjenda të partnerit tuaj të koalicionit…?
A i mbikqyrni ju se nga udhëtojnë e pse udhëtojnë zëvendësit dhe vartësit tuaj nëpër botë?
A duhet të jep përgjegjësi dikush në këtë qeveri për këto udhëtime e këto sorollatje totalisht në dëm të Kosovës?
A do të dezinfektohet qeveria e Kosovës, ndonjëherë nga dirigjimi i Vuçiqit përmes listës “Serbe”?
Kryeministër, nuk është rasti i parë kur vartësit tuaj dalin kundër jush, nuk do të ndërhynim e reagonim sikur kjo të mbetej vetëm në mes juve dhe kolegëve tuaj. Por kjo çka në vazhdimësi po ndërmarrin disa nga ta, po shkojnë kryekëput në dëmë të Kosovës, po ngadalësojnë dinamiken e zhvillimeve të vendit tonë në raport me BE’n, sepse shumë keq po prezantohet në Bruksel sikur Kosova ende edhe sot e kësaj dite nuk i respekton komunitetet, e që në fakte të gjitha koncesionet janë bërë që minoritetet të ndihen në Kosovë të barabartë me shumicën shqiptare, duke dalë si të barabartë mbi të barabartët.
Zëvendëskryeministri juaj, Branimir Stojanoviq është takuar në Bruksel me Presidentin e Komitetit të Parlamentit Evropian për Bashkëpunim me Serbinë, Eduard Kukan, duke thënë se “ia prezantova dëmet e Ligjit për Trepçën dhe shumë dëme të tjera që në vazhdimësi administrata e qeverisë në Prishtinë po i ndërmerr kundër serbëve”.
A ua ke shpjeguar këtyre se zhvillimi i gjigantit Trepça shkon edhe në favor të komunitetit serb sikur edhe në favor te të gjithë qytetarëve të Kosovës?
Pse paska nevojë që një zyrtar i qeverisë së Kosovës të shkojë aq largë, sa të flas keq për vendin prej nga edhe merr pagën.
Sipas deklaratave të zëvendësit tënd, Ligji për Trepçën nuk qenka miratuar prej vërteti…a është në dijeni ai se kjo çështje ka ndodhur para shumë ditëve?
Për ta thënë troç, e duke qenë të vetëdijshëm se këto udhëtime, kërcënojnë seriozisht të arriturat e Kosovës, e nga ecja mbrapa e Kosovës po vuajnë më së shumti qytetarët e vendit, ju kërkojmë që t’i ndalni dhe të kërkoni përgjegjësi prej tyre ose, ju bashkë me ta shkoni në shtepi, sepse nuk do të vazhdojmë të tolerojmë që gjithsecili nga ju të tallet me shtetin e Kosovës.
Sepse tanimë po shihet hapur se nuk jeni në gjëndje të bëni asgjë për të parandaluar ministrat tuaj, e Serbinë për të krijuar turbullira brenda Kosovës e për të na përshkruar si një vend të keq jashtë saj.
Pra jeni, qeveri që po e rrenoni Kosovën, e asgjë tjetër.