Përplasjet publike që kanë nisur, po tregojnë se koalicioni PAN është në fund të romancës së tij. Derisa dikur po krenoheshin me vendime si taksa ndaj Serbisë, tash zyrtarët e PDK’së po e sulmojnë kryeministrin Haradinaj se po i prish raportet me SHBA’në, duke mos e hequr taksën. Ndërkaq AAK’ja mbron shefin dhe vendimin e tij për taksën. Derisa nga PDK po përmendet ‘ndarja e rrugëve’, nëse nuk hiqet taksa, Pal Lekaj vazhdon të besojë të stabilitetit e Qeverisë.
Pal Lekaj, nënkryetari i AAK’së, që llogaritet si kumbara i koalicionit PAN, ka filluar përplasjet me partnerët e PDK’së.
Ai dhe ministri tjetër në qeverinë Haradinaj, Abelard Tahiri i PDK’së, kanë shpërthyer në konflikt.
Derisa Tahiri përmendi ndarjen e rrugëve, Lekaj në një përgjigje për Gazetën Express sot thotë se prishja e qeverisë mbetet në suazën e spekulimeve sepse ajo do të jetë stabile.
“Këto mbesim vetëm spekulime sepse nuk ka vend për qeveri të re. Qeveria Haradinaj vazhdon të jetë stabile dhe funksionale me këtë koalicion. Taksa vazhdon të qëndrojë sepse është vendosur nga qeveria”, ka thënë Lekaj.
Megjithatë ndarjen Lekajt ia ka përmendur mbrëmë ministri Tahiri.
Në një emisioni televiziv anëtari i kryesisë së PDK’së dhe ministri i Drejtësisë ka thënë se nëse taksa nuk hiqet, atëherë do të detyrohen t’i ndajnë rrugët. Sipas asaj qe deklaroi Tahiri, zgjedhjet nuk janë i vetmi opsion, pasi këto rrugë mes AAK’së e PDK’së të ndahen.
“Mbetët të shihet në vijim dhe do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë dhe jam shumë i binduar se klasa politike e Kosovës do ta marrë një vendim, i cili nuk do të pengojë këto relacione. Nëse do të jetë ndryshe, normalisht jemi të detyruar me i nda rrugët edhe me ardhë deri te një pozicion tjetër. S’du me paragjyku a do të ketë zgjedhje a cka”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq në debatin mes dy ministrave u hapën edhe tema të tjera që tregonin se problemet brenda koalicionit kanë ekzistuar edhe më parë, për tema të tjera të rëndësishme.
Lekaj akuzoi Tahirin se partia e tij nuk ka qenë e pajtimit që të transformohej FSK’ja në ushtri. Siç tha ai, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK’së, Xhavit Haliti, ka kërkuar të shtyhet ushtria.