Lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar për të akuzuarin, dështon seanca e rigjykimit për vjedhje të rëndë në tentativë

Prishtinë | 12 Mar 2024 | 13:39 | Nga Ekonomia Online

Në mungesë të të akuzuarit Arben Latifi, për të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për sigurimin e tij në gjykim, ka dështuar seanca e rigjykimi në rastin ku ai po akuzohet për vjedhje të rëndë në tentativë.

Arsyeja për dështim të seancës, është bërë e ditur nga zyra e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Musa Konxheli, përcjell “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 1 nëntor 2022 i kishte dënuar të akuzuarit Arben Latifi, Hasip Zeka dhe Muhamet Krasniqi (së bashku) me 8 vite e 10 muaj burgim dhe 15 mijë euro gjobë . Kurse, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të akuzuarit ishin liruar nga akuza pasi që Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Ndërsa, Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 29 nëntor 2023, ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores për të akuzuarit Latifi, Zeka dhe Krasniqi për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.

Kurse, për të akuzuarin Latifi për veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”, çështja është kthyer çështja në rigjykim. Apeli ka vlerësuar se në rastin konkret, nuk ishin vlerësuar në mënyrë të plotë rrethanat faktike që përshkruheshin si në dispozitiv dhe se kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 dhjetor 2021 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Arben Latifi, Hasip Zeka dhe Muhamet Krasniqi nga 11 dhjetori 2020 e deri më 25 mars 2021 në Ferizaj, Viti, Gjilan dhe qytete të tjera të Kosovës, në bashkëkryerje janë marrë me importin dhe shitjen e armëve dhe municioneve si dhe pajisjeve të tjera të armëve, të cilat i kanë importuar kryesisht nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Serbia dhe ua kanë shitur personave të ndryshëm në Kosovë.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht i akuzuari Zeka i kishte blerë armët nga persona të paidentifikuar deri më tani, ua ka shitur shumë personave e pastaj ka arritur marrëveshje me të akuzuarin Latifi e më vonë edhe me Krasniqin, të cilët më pas armët e blera nga Zeka ua kanë shitur personave të tjerë.

Në aktakuzë thuhet se me rastin e kontrollit dhe me urdhër të gjykatës në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të akuzuarve janë gjetur dhe sekuestruar dy pushkë automatike AK-47, një pushkë gjuetie, tri revole, ku njëra prej tyre me gaz, një armë ushtarake, 7 mijë e 100 copë fishekë të armëve, tri predha të armës ushtarake, gjashtë copë mbushës për armë, një thikë ushtarake si dhe 15 karikatorë, 2 kondakë të pushkës dhe dy mekanizma pjesë të AK-47.

Me këto veprime, ata ngarkoheshin nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364, par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Gjithashtu Prokuroria i ngarkonte të akuzuarit edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Prokuroria, e ngarkon të akuzuarin Arben Latifi edhe me veprën penale “Vjedhje e rëndë në tentativë”, nga neni 315, par.2, nën par, 2.6 lidhur me par. 1 dhe nenin 31 dhe 28 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se Latifi më 17 tetor 2020 në Ferizaj, pas marrëveshjes paraprake në bashkëkryerje edhe me disa persona tani për tani të panjohur, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së paluajtshme e që vetes t’i sjellin përfitime pasurore të kundërligjshme, kanë tentuar që me eksploziv të vjedhin paratë nga bankomati i bankës “Raiffaiesen Bank”, mirëpo nuk kanë arritur që t’i vjedhin paratë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Të ngjashme