Letër publike qytetarëve të Kamenicës: Mos i lini fëmijët pa shoqëri, të pasocializuar

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 12:44 | Nga Arben Ahmeti

Të dashur qytetar të Kamenicës…

Ky është një rrëfim personal e profesional, me një përpjekje solide që të ndajë me j`u shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve tanë, shqetësim ky që ju shpesh e ndani me mua në çdo mëngjes tek Zyra e Ankesave.

Nuk pretendoj që të them diçka të pathënë në këtë letër. Por kërkojë vëmendjen tuaj.

Sa herë marr telefonata në emisionin e mëngjesit mirëpres me entuziazëm e dashamirësi kur një prind më ankohet se ka mungesa të pajustifikueshme të një mësimdhënësi në shkollën ku vijon mësimin fëmija i tij/saj.

Me të njëjtin entuziazëm angazhohem edhe kur më raportohet se si një mësues a mësuese po i nxjerrë fëmijët me luajt me top në vend se t`u mësojë diçka. Tmerrohem kur me raportohet për ngacmime, përçmime e gjëra te ngjashme. Që të gjitha këto ndodhin në shkollat tona.

Këto ditë më keni telefonuar shumë për reformën në arsim që po bënë komuna juaj.

Për ata që se dinë, komuna e Kamenicës ka vendosur të mbyll disa objekte shkollore për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Ata kanë vendosur që t’i bartin nxënësit e disa fshatrave në një shkollë të vetme, në mënyrë që aty të kenë më shumë bashkëmoshatarë.

Kësisoj rritet kualiteti i mësimdhënësve sepse do të ketë nevojë për më të mirët.

Sa herë që ka diskutime të tilla tek Zyra e Ankesave gëzohem. Pak më pak entuziazmohem kur më ankohen për objekt shkolle, për largësinë e saj dhe rrethanave të tjera infrastrukturore.

Sepse miq, sado që do të ndërtojmë ndërtesa me beton, ato nuk do ta determinojnë të ardhmen e fëmijës sonë.

Banka në të cilën ulet, qoftë e re apo e vjetër nuk do të definojë karakterin e fëmijës tënd apo timit.

Shoqëria që do të ketë në dhe përskaj asaj banke e definon.

Shoqëria e tij do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në fëmijën po aq sa edhe mësuesi e mësuesja.

Por, para se ta arrijë tek përfundimet kërkoj nga ju edhe pak vëmendje që ta ilustrojë këtë me një përjetim personal.

1993

Në vitin 1993 axha im Avdyli kishte vendosur që ta tërheq familjen e tij në Gjermani, ku jetonte dhe punonte.

Fëmijët e axhës Ardiani, Valoni, Valbona e Dibrani e më vonë edhe djali i axhës tjetër Dritoni do të iknin në Minhen. Po shkonin në qytetin që ne përmendim dhe paramendonim shpesh, ngase atje punonin burrat e familjes. Ata po shkonin të gëzuar në qytetin që e përjetonim si vendi i çokollatave të mrekullueshme që na i sillnin burrat. Por, Minheni njëkohësisht ishte qyteti që na mërziste e na shkaktonte vaj sa herë shkonin baba dhe axha.

Mbaj mend se unë isha në klasën e tretë të shkollës fillore. Deri në këtë fazë, shkollën e përjetoja vetëm si një vend ku duhet mësuar dhe takuar disa bashkëmoshatarë krejtësisht të panjohur.

Shokët dhe shoqet e klasës i përjetoja vetëm si disa të panjohur me të cilët po shpenzoja disa orë në ditë.

Sepse unë kisha kushërinjtë si shoqëri me të cilët argëtohesha. Me ta luaja me top, organizonim dasma, përballeshim si ushtri, ndërtonim shtëpi dhe i bënim të gjitha lojërat e mundshme pjesë e i imagjinatës dhe veprimeve tona.

Me ikjen e tyre lagja ime u zbraz.

Rruga nuk ishte më e zhurmshme dhe të vetmin emocion që përjetoja ishte kujtimet nga qoshet e qorrsokakut ku kemi luajtur.

Asokohe nuk e kam ditur por tash jam I bindur se unë po kaloja një krizë depresive.

Nuk do t’iu lodhë me detaje të tjera por e di që kriza u tejkalua tek kur Bujari, shoku im i bankës në shkollë më pati ftuar te mahalla e tij.

Aty unë zbulova se shoqërinë e natyrshme të mahallës ma kishte zëvendësuar shkolla. Nuk pata krizë më.

Bujarin edhe sot e kam shok e besa edhe shumë të tjerë që pastaj u shtuan si në shkollë fillore, si të mesme apo në studime.

Të dashur prindër të Kamenicës…

Disa nga ju, deri para pak muajsh ua keni pamundësuar fëmijëve tuaj që të kenë shokë dhe shoqe. Këtë nuk e keni bërë qëllimshëm. Shkollat e zbrazëta, me pak nxënës e shumë mësimdhënës janë objekte ku nuk zënë dije dikush. Përkundrazi janë burim depresioni, mungese socializmi dhe kulte mjerimi. Fëmija juaj medoemos do të jetë viktimë në një objekt të tillë.

Andaj unë e përkrah reformën e nisur nga Komuna. Më mirë një objekt i mbyllur sesa një shkollë me 20 nxënës. Është shumë më mirë që fëmija juaj të udhëtojë disa kilometra por të ketë shokë dhe shoqe sesa ta ketë shkollën të dera e shtëpisë, por aty të ngujohet i vetëm me profesorin brenda një objekti vetmie.

Gjatë fushatës, shumë parti iu kanë keqpërdorur duke u premtuar të kundërtën. Unë ju lus që të mos i leni fëmijët pa shoqëri. Të pasocializuar.

Arben Ahmeti, autor
Zyra e Ankesave, RTV Dukagjini

Të ngjashme